Skuadrat shqiptare do të nisin sot sezonin në kupat e Europës. Skënderbeu rikthehet në kompeticionet europiane pas dënimit 1-vjeçar nga UEFA. Korçarët do të kenë përballë ekipin modest të Sant Julia nga Andorra dhe synojnë ta kalojnë pa u sforcuar turin e parë kualifikues të Europa League. Takimi do të luhet sot në orën 20:00 në stadiumin e Korçës.

Ilir Daja (Trajner i Skënderbeut)

Kërkojmë t’i imponojmë ritmin tonë kundërshtarit, por edhe do ta studiojmë se nuk kemi asnjë lloj informacioni.

Heqja e titullit kampion nga Komisoini i Etikës për Orges Shehin nuk do të ndikojë në ecurinë e ekipit. 

Orges Shehi (Kapiten i Skënderbeut)

Gjurmë nuk ka lënë pasi janë tituj të fituar në fushë, por duhet të fokusohemi tek e ardhmja.

Partizani pret në orën 17:00 në “Selman Stërmasi” bullgarët e  Botev Plovdiv. Trajneri Sulejman Starova thotë se të dyja ekipet kanë shanse të barabarta për të vijuar më tej aventurën në Europa League.

Sulejman Starova (Trajner i Partizanit)

Objektivi për t’u kualifikuar është i vështirë, por shpresojmë me përgatitjet të bëjmë më të mirën. Unë them që janë dy ndeshje për tu luajtur.

Tirana rikthehet në kupat e Europës pas 5 vitesh mungesë,por përballë do të ketë Maccabi Tel Aviv, një ekip me përvojë. Trajneri i sapoemëruar Ze Maria tha se do të përpiqen të bëjnë më të mirën në sfidën që do të nisë në orën 20:00 në Izrael.

Ze Maria (Trajner i Tiranës)

Kemi patur vetëm 7 ditë për t’u përgatitur. Ne kemi shumë lojtarë të rinj. Unë mendoj se do të jetë edhe një mundësi për ta për të treguar veten. E jemi këtu për t’u përjekur të japim më të mirën, të fitojmë ndeshjen edhe pse e dimë që do të jetë e vështirë.

Fitorja e Skënderbeut nuk diskutohet sipas shoqërive të basteve, Partizani është vlerësohet si më favorit në sfidën e parë, ndërsa për Tiranën triumfi shikohet i pamundur.

Tv Klan