Koloneli Reso: Kemi nxjerrë viktima nga rrënojat

Ekipi shqiptar i Emergjencave Civile po operon në operacionet e kërkim shpëtimit në qytetin Malatia, një prej 10 qendrave të goditura më shumë nga tërmeti. Kolonel Elton Reso, njëherësh Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor të Forcave të Armatosura, thotë në një intervistë për Tv Klan se që në nisje të operacioneve kanë mundur të nxjerrin disa trupa të pajetë nga rrënojat e pallateve të shembura.

Elton Reso: Kemi ndërhyrë në disa rrënoja dhe në disa pallate të dëmtuara dhe ekipi mjekësor nga ana tjetër momentalisht ju ka dhënë ndihmë mjekësore familjarëve, të afërmeve të viktimave. Në orët e para që jemi angazhuar janë nxjerrë 3 viktima nga rrënojat.

Ekipi shqiptar po vepron në disa zona në koordinim me qendrën e Emergjencave Civile në Malatia.

Elton Reso: Ekipi mjekësor aktualisht po vepron së bashku me ekipin e kërkim shpëtimit, njëkohësisht po bashkëvepron edhe me ekipet mjekësore turke. Janë 41 persona nga të cilët 34 janë personeli efektiv i forcave të armatosura, dy janë personeli i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile dhe 5 janë nga Ministria e Energjitikës.

Pritet që misionit shqiptar në Turqi t’i bashkohen edhe 15 efektivë të tjerë, duke e çuar në 56 total. Po ashtu janë dërguar edhe automjete, me ndihma logjistike për ngritjen e një qendre shëndetësore.

Elton Reso: Priten dhe 15 të tjerë efektivë të cilët po vinë me tre ambulanca dhe dy kamionë që do sjellin dhe çadrat dhe pajisjet mjekësore pasi është gjykuar që të hapin një qendër shëndetësore për ofrimin e ndihmës së parë mjekësore.

Drejtuesit e ekipit shqiptar thonë se do të qëndrojnë në terren derisa autoritetet turke ta çmojnë të nevojshme ndihmën dhe kontributin e tij.

Tv Klan