Pas thuajse dy muajsh, futbolli italian është gati të rikthehet në fushën e blertë. Gjendja e panikut për shkak të shpërthimit të Covid-19 duket se është hedhur pas krahëve në shtetin fqinj dhe këtë e tregon më së miri vendimi i klubit të Sassuolos për të rinisur përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të saj, klubi ka konfirmuar se lojtarët mund të përdorin fushat stërvitore për të kryer stërvitje individuale gjatë kësaj kohe.

Duke nisur nga e hëna e 4 Majit, lojtarët tanë mund të stërviten në qendrën futbollistike Mapei në mënyrë individuale”, thuhet në faqen e klubit.

Seancat stërvitore do të mbahen në orët e para të mëngjesit nga e hëna deri të premten. Klubi ka vënë në përdorim tre fusha, të cilat do të përdoren nga 6 futbollistë në harkun kohor të 1 ore.

Dy lojtarë do të stërviten në të njëjtën fushë, por jo njëkohësisht. Gjatë kësaj periudhe do të stërviten 30 minuta njëri dhe 30 minuta tjetri në anë të kundërta të fushës.

Stërvitjet do të mbikqyren nga stafi mjekësor që do të jetë në dispozicion të lojtarëve, por do të mungojë stafi teknik i skuadrës. Gjithashtu nuk do të lejohet hyrja në dhomat e zhveshjeve, palestër dhe zyra, si dhe dushi do të bëhet në shtëpi.

Në parkingun pranë fushave do të ketë vend vetëm për lojtarët, gjithmonë me automjetet e distancuara nga njëra-tjetra. Sassuolo bëhet kështu ekipi i parë italian që do të zbresë në fushë. Të njëjtën leje ka marrë dhe Napoli, por deri më tani jugorët nuk kanë konfirmuar zbritje në fushë.

Klan Plus