Dërgimin në Itali të një ekipi mjekësor shqiptar për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit, Kryeministri Edi Rama e ka argumentuar duke e krahasuar njësoj si me strategjinë e përdorur në futboll.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Kryeministri Rama thotë se lufta me virusin COVID-19 nuk fitohet duke u mbrojtur, por përkundrazi, duke e luftuar në vijën e parë të frontit.

Në këtë pikë, shefi i qeverisë shqiptare përmend trajnerin legjendar të skuadrës së Milanit, Arrigo Sacchi.

“Nuk kam parë kurrë që një luftë të fitohet duke u mbrojtur, por duhet sulmuar. Ky është një armik i vështirë dhe ne duhet të veprojmë si Milani i Arrigo Sacchi, të gjithë në mbrojtje dhe të gjithë në sulm”, thotë ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.

Dy ditë më parë, Shqipëria dërgoi në Itali një ekip prej 30 mjekësh dhe infermierësh për të ndihmuar kolegët e tyre italianë në luftën kundër koronavirusit COVID-19.

Ky gjest i Shqipërisë për të ndihmuar Italinë është vlerësuar nga shumë shtete por edhe nga personazhe të njohur botërorë. /tvklan.al