Ekipi në Këshillin e Sigurimit, Xhaçka: Jep kontributin tënd në realizimin ëndrrës historike për Shqipërinë




Ekipi në Këshillin e Sigurimit, Xhaçka: Jep kontributin tënd në realizimin ëndrrës historike për Shqipërinë

17:20 21/06/2021

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, bën me dije se për shkak të numrit të madh të kërkesave, afati i ri i aplikimit për t’u bërë pjesë e ekipit të ekspertëve shqiptarë që do të përfaqësojnë vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB është 30 Qershori 2021.

Ministrja Xhaçka ka dhënë specifika të mëtejshme për fushat nga të cilat kërkohen ekspertët, duke ritheksuar se kjo është një mundësi historike për Shqipërinë.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë më së miri këtë mundësi të artë, për të konsoliduar imazhin e Shqipërisë si një aktor serioz, si një vend i vogël por me ide e vizion, me njerëz të aftë e të talentuar që kanë çfarë të kontribuojnë në adresimin e sfidave e problemeve e të cilat përballet bota. Kemi nevojë për talente e ekspertizë shumë specifike në ekipin tonë. Kemi nevojë për më të mirët, më të mirëarsimuarit, për ata me më shumë përvojë. Shpresa jonë, është që do të na bashkoheni, për të bërë që ashtu siç keni ditur të shkëlqeni ju në punën tuaj, të shkëlqejë edhe Shqipëria gjatë kësaj mundësi historike që i është dhënë”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Deklarata e plotë e ministres Olta Xhaçka:

Vetëm pak javë më parë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme hapi thirrjen për ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë gjatë mandatit të saj 2 vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjatë këtyre javëve ka pasur me dhjetëra e dhjetëra aplikime. Shqiptarë e shqiptare nga e gjithë bota, që me shumë përkushtim e dashuri kanë kërkuar të kontribuojnë me talentin dhe eksperiencën e tyre duke ju bashkuar ekipit tonë.

Edhe pse ideja fillestare ishte që këto aplikime të mbylleshin në datë 15 Qershor, kemi pasur gjatë këtyre ditëve me dhjetëra kërkesa për ta shtyrë afatin edhe për një kohë të shkurtër. Mandati 2 vjeçar në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje historike. Pas 65 vjetësh anëtarësim në OKB, Shqipëria ka më në fund të drejtën të ulet në forumin më të lartë të vendimmarrjes globale. Të kontribuojë në debatin mbi paqen, sigurinë, mbi sfidat e mëdha të kohës sonë ë po i japin formë të ardhmes së globit, me idetë, vizionin dhe eksperiencën e saj.

Në 11 Qershor aplikimi ynë mori një mbështetje të jashtëzakonshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Vështirë se mund të kishte pasur një tregues më të qartë të respektit që gëzon sot Shqipëria dhe diplomacia shqiptare në botë sesa votbesimi që morëm. Por jemi të ndërgjegjshëm që kjo mbështetje na vë përpara një përgjegjësie shumë të madhe përpara shqiptarëve, përpara rajonit, përpara Grupit të vendeve të Europës Lindore që na dhanë mundësinë të përfaqësojmë këtë grup në Këshillin e Sigurimit, por edhe para botës mbarë.

Ne duhet ta shfrytëzojmë më së miri këtë mundësi të artë, për të konsoliduar imazhin e Shqipërisë si një aktor serioz, si një vend i vogël por me ide e vizion, me njerëz të aftë e të talentuar që kanë çfarë të kontribuojnë në adresimin e sfidave e problemeve e të cilat përballet bota. Kemi nevojë për talente e ekspertizë shumë specifike në ekipin tonë. Kemi nevojë për më të mirët, më të mirëarsimuarit, për ata me më shumë përvojë.

Nëse keni studiuar për marrëdhënie ndërkombëtare apo shkenca politike, duke përfunduar edhe studimet pasuniversitare, dhe keni së paku 5 vite eksperiencë pune, ju ftojmë të aplikoni. Sektorët ku kemi veçanërisht nevojë për aplikimet tuaja lidhen me çështjet e ekstremizmit dhe konflikteve të dhunshme, me çështjet e sigurisë dhe çarmatimit, me zgjidhjen e konflikteve dhe negocimin, apo me rajone të ndryshme të botës që janë në fokus të punës të Këshillit të Sigurisë, siç janë Lindja e Mesme, Azia Qendrore, Afrika Subsahariane me fokus në zonën e Sahelit, Afrika Veriore, etj.

Nëse keni studiuar për drejtësi, dhe keni së paku 5 vjet eksperiencë pune në të drejtë ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, të drejtat e grave, çështjet e sanksioneve apo negocimit të konflikteve, ju ftojmë të aplikoni. Nëse keni kryer studimet mjedisore, me fokus të veçantë tek ndryshimet klimatike, sfidat e ujit dhe konflikteve, tek teknologjitë e reja që përdoren për uljen e ndotjes, ju ftojmë të aplikoni.

Nëse keni studiuar apo keni eksperiencë në funksionimin e OKB apo metodat e punës së Këshillit të Sigurimit, në funksionimin e organizatave ndërkombëtare, në çështjet e sigurisë kibernetike, çështje ushtarake apo çarmatimit, do të na ndihmonit vërtet shumë në punën tonë. Unë e di që kudo në botë ka shqiptarë e shqiptare që shkëlqejnë në profesionet e tyre. E di që në çdonjërën nga këto fusha ku brendapërbrenda Shqipërisë ndoshta nuk është aq e lehtë të gjesh ekspertë, ka nëpër bota burra e gra nga Shqipëria që janë ngjitur në majat me të larta të disiplinave të tyre.

Shpresa jonë, është që do të na bashkoheni, për të bërë që ashtu siç keni ditur të shkëlqeni ju në punën tuaj, të shkëlqejë edhe Shqipëria gjatë kësaj mundësi historike që i është dhënë./tvklan.al





Të ngjashme