Instat: Tremujori i parë i 2021, përmirësim në krahasim me 2020

Ekonomia në tremujorin e parë të këtij viti është rritur me 5.53% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020. Sipas INSTAT, ndikimin më të madh e ka dhënë Industria, Energjia dhe Uji me rritje 2,56% dhe sektori i ndërtimit me rritje mbi 1.09%.  Ndërsa rënie kanë shënuar sektorët e tregtisë, transporti, mbledhja e taksave dhe aktivitete e ndryshme profesionale.

Ndër të tjera INSTAT në publikimin e fundit thekson se kontribut pozitiv në ekonomi kanë dhënë administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me + 0,97 pikë përqindje, aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,58 pikë përqindje, aktivitete financiare dhe të sigurimit me +0,35 pikë përqindje, Po ashtu bujqësia, pyjet dhe peshkimi në 3 muajt e pare të këtij viti janë rritur me +0,01 pikë përqindje.

Nga ana tjetër INSTAT bën të ditur se negativisht në ekonominë tonë kontribuan aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative me -0,20 pikë përqindje, tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me – 0,14 pikë përqindje. Ndërsa taksat neto mbi produktet kontribuan negativisht me – 0,02 pikë përqindje.

Në raport thuhet se në tremujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e parë të 2020 shpenzimet e popullatës, që përbëjnë peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, u rriten me 1,49%. Gjithashtu eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,66%, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7,55 pikë përqindje.

Klan News