BSH: Inflacioni në Janar në 3.4%, trend që do vijojë gjatë 2024-ës

Ekonomia shqiptare ka pasur një kah pozitiv zhvillimi gjatë vitit 2023, trend i cili pritet të vijojë edhe përgjatë këtij viti sipas Bankës së Shqipërisë. Sektori i turizmit ka luajtur një peshë të madhe në situatën ekonomike, thuhet në Raportin e Fundit të Politikës Monetare.

Erald Themeli: Rritja ekonomike ka pasur një mbështetje të fortë nga turizmi i cili ka pësuar një rritje me 50%. Konstatojmë se bilancet financiare të ekonomisë shqiptare, qoftë të familjeve, bizneseve apo sektorit publik janë të shëndetshme, kanë ardhur në përmirësim. Këto janë shenja inkurajuese për rritjen ekonomike në të ardhmen.

Referuar të dhënave zyrtare në muajin Janar të këtij viti, inflacioni zbriti në 3.4% dhe sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë rënia do të vijojë sërish gjatë 2024.

Erald Themeli: Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se inflacioni do të vazhdojë të shkojë në rënie gjatë vitit 2024. Rënia e inflacionit në Janar ishte indikator dhe po ashtu Këshilli Mbikëqyrës dhe analizat tona konfirmojnë se në përgjithësi kushtet monetare mbeten të përshtatshme për t’i mundësuar ekonomisë shqiptare një rënie të inflacionit.

Edhe ecuria e kreditimit në vend sidomos për sektorin privat ka shënuar vlera pozitive në lekë.

Erald Themeli: Portofoli i kredisë në Lekë për sektorin privat shqiptar u rrit rreth nivelit 15% gjatë vitit 2023, një rritje e cila është përsëri e shpejtë dhe e ndjeshme.

Në Raportin e Fundit të Politikës Monetare vihet re se treguesit kryesorë si borxhi publik, borxhi i huaj dhe treguesi i kredive me probleme, shënuan përmirësim.

Klan News