Ekonomia më e madhe e Evropës ka pësuar rënie në tre muajt e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Pandemia e koronavirusit ka qenë faktori kryesor që ka ngadalësuar  rritjen e ekonomisë gjermane me  1.8%.

Rënia ekonomike u shkaktua nga efektet e  koronavirusit dhe masave të marra për të ndaluar përhapjen e virusit.

Sektori ekonomik më i goditur ishte konsumi privat, me familjet gjermane që shpenzuan 5.4% më pak për mallra dhe shërbime. Për shkak të kufizimeve që synojnë ndalimin e përhapjes së COVID-19, bizneset në të gjithë Gjermaninë mbetën kryesisht të mbyllura nën bllokime të rrepta në muajt e parë të vitit. Gjermania pati një fillim viti relativisht të dobët në krahasim me zonën e euros, e cila pësoi një humbje prej vetëm 0.6 përqind, ndërsa ekonomia më e madhe në botë, SHBA, pësoi rritje falë vaksinimit të shpejtë.

Pavarësisht se konsumi privat rezultoi sektori më i dëmtuar, tregtia e jashtme pati efekte pozitive pasi  përfitoi nga rritja e kërkesës globale për mallra dhe shërbime .

Banka Federale parashikon se niveli i para krizës do të arrihet përsëri në vitin e ardhshëm dhe ekonomia gjermane do të fillojë të lulëzojë sërish.

Klan News