Vitet pas krizës globale kanë përgjysmuar shfrytëzimin e forcave të punës në Shqipëri. Një studim i Bankës së Shqipërisë ka evidentuar se mbetet ende punë për të bërë në shfrytëzimin e dijeve njerëzore, ndërsa po vërehet një prirje e zhvillimit të ekonomisë nga degët tradicionale të tregtisë dhe ndërtimit, në rritjen e industrisë dhe shërbimeve.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha gjatë këtij prezantimi se edhe portofoli i kredisë është orientuar së fund në këto dy degë.

“Zhvendosja e burimeve financiare, njerëzore dhe manaxheriale, midis sektorëve të ekonomisë, kërkon kohë dhe shoqërohet me ngadalësim të përkohshëm të produktivitetit.

Megjithatë, ribalancimi i burimeve të rritjes, nga ndërtimi e tregtia drejt industrisë dhe shërbimeve të eksportit, është një proces i cili tashmë ka nisur. Kjo zhvendosje graduale vihet re dhe në ribalancimin simetrik të portofolit të kredisë bankare”

, thotë Gent Sejko.

Kreu i Bankës Qëndrore tha se në të ardhmen rritja e produktivitetit të ekonomisë shqiptare do të lidhet me formalizimin e biznesit, konkurrencën e ndershme dhe zbatimin e ligjit të ri të falimentit.

Tv Klan