Pavarësisht nëse ka të drejtë apo jo opozita në akuzat që bën mbi qeverinë në platformën Antimafia, kërcënimet me sekuestrim të pasurive dhe prishjen e kontratave në mënyrë të njëanshme frikësojnë investitorët e huaj. Ekspertët e ekonomisë bien dakord se për prishjen e një kontrate mes shtetit dhe privatit fjalën e fundit e ka drejtësia.

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria-s është skeptik lidhur me mënyrën se si do të zbatojë këto vendime kreu i demokratëve në momentin që do të vijë në pushtet.

Për profesorin e ekonomisë Civici, deklaratat me tone kërcënuese për prishje të kontratave dhe shkatërrim të investimit privat nuk duhet të bëhen nga liderët e partive kryesore në politikë, pasi dëmtojnë klimën e investimeve.

Gjergj Buxhuku kujton se kërcënimi për prishjen e disa koncesioneve është bërë edhe në kohën që Partia Socialiste ishte në opozitë, por në fund ata u përballën me një faturë të madhe që bizneset kërkuan në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Një rast i prishjes së kontratës me një kompani private nga qeveria shqiptare ka qenë ajo me General Electric për trenin Tiranë-Durrës, e firmosur nga qeveria Nano dhe e rrëzuar nga qeveria Berisha. Në këtë rast shteti shqiptar pagoi 10 milionë dollarë gjobë për prishje të njëanshme të kontratës.

Tv Klan