Ekskluzive/ Flet dëshmitari që takoi për herë të fundit shqiptarin e zhdukur në Shkup



Ekskluzive/ Flet dëshmitari që takoi për herë të fundit shqiptarin e zhdukur në Shkup

10:51 02/06/2020

Zhdukja e një shqiptari nga fshati Kryevidh i Kavajës dhe gjetja e një trupi të pajetë në Shkup të Maqedonisë, duket se ka shumë pika të përbashkëta. Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka investiguar këto dy ngjarje, dhe nga verifikimet në këto dy shtete ka mësuar ngjarjet mund të jenë të lidhura.

Aq më tepër kur shqiptari i zhdukur nga Kavaja, Riku Beu, udhëtonte shpejt drejt Maqedonisë së Veriut, madje kontakti i fundit i tij ka qenë në një lokal në Shkup.

“Uniko” ka mundur të mësojë edhe se kush ishte personi i fundit me të cilin 35-vjeçari Riku Beu ka pirë kafe.

Ai është një shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Berat Shabani. Ky i fundit pranoi të fliste dhe të tregonte të vërtetën e tij për zhdukjen e çuditshme të 35-vjeçarit nga Kavaja.

Spartak Koka: Jemi të interesuar për të folur me ju rreth kontaktit të fundit që keni pasur me shtetasin Riku Beu. E njihni?

Berat Shabani:  E kemi shok!

Spartak Koka: Kur e keni kontaktuar për herë të fundit?

Berat Shabani: Nuk e mbaj mend datën, por ka nja 3 muaj. Herën e fundit para 3 muajsh por nuk e mbaj mend saktësisht datën kur… Kam folur edhe me shoqen e vetë, por si duket nuk e gjejnë askund. Ka qenë në Shkup…thjesht e njoh si shok.

Spartak Koka: A ka lënë rrobat tek shtëpia juaj ky shtetas? Keni dijeni?

Berat Shabani: Po i ka lënë herën e fundit kur erdhi atëherë, ka lënë një…e kemi aty.

Spartak Koka: E keni në shtëpi?

Berat Shabani: Po!

Spartak Koka: Herën e fundit kur e mban mend që jeni takuar përafërsisht dhe në cilin ambient jeni takuar me njëri-tjetrin?

Berat Shabani: Më duket se erdhi prej Shqipërisë edhe donte të pinim një kafe në një restorant. Si duket ka pasur ndonjë takim me dikë, nuk e di, por shkuam të pimë një kafe. Edhe erdhi njëri prej personave të tjerë dhe foli me Rikun siç flasin të gjithë, si shokë, njihej me atë shumë mirë. Më foli dhe mua, edhe iku me atë. Unë prit prit në restorant aty, shkoi 40 minuta. I thashë kamarierit shko thërrite pak atë që ishte me mua i ulur në tavolinë se i thashë nuk kam kohë të pres shumë. Kamarieri, iku tha. Pasi e mora në telefon 2-3 herë ma shkëpusnin telefonin. Herën e fundit e kishin mbyllur të gjithë. Edhe një shok tjetër në tavolinë aty, pasi i thashë kamarierit, a je ti me Rikun i thashë? Po më ka thirr edhe mua të pi kafe, ku është? Edhe atij i shkëputej telefoni, në fund i mbyllën të gjithë telefonat. Prej asaj dite nuk e di…

Spartak Koka: A je në gjendje ta përshkruash fizikisht çfarë tiparesh kishte ky personi i fundit që takoi Riku?

Berat Shabani: Këtë person nuk e njoh hiç, por me e pa si person më vjen fytyra, por nuk i dhashë rëndësi…

Spartak Koka: Çfarë tiparesh kishte? Ishte biond, ezmer, i gjatë, i shkurtër?

Berat Shabani: Pak i gjatë, i hollë ishte. I kishte flokët si më të çelëta. 

Spartak Koka: Çfarë moshe mund të ishte ky personi?

Berat Shabani: Ishte diku nga 40 vjeç…

Spartak Koka: Taulanti me çfarë po merrej atje në Maqedoni? Me çfarë pune apo veprimtarie po merrej atje?

Berat Shabani: Ku ta di unë, Taulanti vjen e shkon.. ku e di unë. Nuk merrej me punë si duhet, nuk e di.Thjesht e njoh personin si shok.

Spartak Koka: Kur thoni me punë jo siç duhet, keni parasysh që ai mund të merrej dhe me veprimtari kriminale në fushën e drogës?

Berat Shabani: Nuk e di, nuk mund t’i përgjigjem asaj pyetje se nuk e kam parë.

Spartak Koka: Po për të dëgjuar, keni dëgjuar ndonjë gjë?

Berat Shabani: Për të dëgjuar po, më shumë tani mbrapa.

Spartak Koka: Çfarë ke dëgjuar tani mbrapa?

Berat Shabani: Është marrë me kështu punë domethënë.. kriminale.. hollësisht nuk e di…

Spartak Koka: Në dijeninë tënde, çfarë mendoni se mund t’i ketë ndodhur Rikut?

Berat Shabani: Deri atë ditë kur humbi unë s’kisha asnjë farë mendimi çfarë do t’i ndodhte Rikut. Thjesht shkoi si person që e njihte personin shumë mirë, shkoi me bisedu, nuk e di se çfarë… Shkoi shumë gjatë koha. Ne shpresojmë se është diku në emigracion.

Spartak Koka: Keni qenë një person i afërt, mund ta keni një dyshim çfarë mund t’I ketë ndodhur?

Berat Shabani: Nëse është marrë me ato punë që thonë këta, me kriminalitet, edhe nuk gjendet që 3 muaj, nuk dua ta çoj mendjen aty a më kupton a jo. Po ishalla nuk është ashtu. Çdo person dyshon në kokë.

Spartak Koka: Që nga ai moment, pra tek takimi me ju, nuk ka kontaktuar më me njeri, as me të afërt, as me shoqëri as me njeri.


Berat Shabani: Po e di se më tregoi edhe e shoqja e vetë. Shoqja e vetë thoshte nuk ka shans mos të telefonojë një herë në ditë me fëmijët me bisedu.

Spartak Koka: Ke marrë dijeni që është gjetur një kufomë si çdo qytetar i Shkupit nga media apo në rrugë të tjera?

Berat Shabani: E kam në dijeni, më ka rënë në vesh ajo.

Spartak Koka: Dhe a patët ndonjë dyshim në ndonjë moment se mund të jetë Riku ky person?

Berat Shabani: Dyshim nuk pata asnjë moment deri sa bisedova me vëllain e tij.

Spartak Koka: E kishit të pamundur nuk ju pranoi policia  e Maqedonisë, e Shkupit, që të bënit identifikimin?

Berat Shabani: Jo që nuk pranoi, policia tha duhen gjetur familjarët për të denoncuar personin. Edhe unë mora Zanën (bashkëshortja e Rikut) në telefon për ta lajmëruar.

Spartak Koka: Po kur u gjet kufoma, një indicie mund t’ja kishit dhënë policisë së Shkupit ju si shoku i tij?

Berat Shabani: Nuk e dija kur është gjetur kufoma dhe ku është kufoma.

Spartak Koka: Kishe dijeni që Taulanti ishte futur në rrugë të paligjshme nga kufiri, nga Qafë Thana dhe nuk e kishte kaluar kufirin në mënyrë të rregullt?

Berat Shabani: Ashtu bënte çdo herë ai, po dua të them që ai ka pasur edhe letrën maqedonase.

Spartak Koka: Çfarë letre?

Berat Shabani: Po ka pasur një letërnjoftim më duket. S’e di ka qenë e rregullt a jo e rregullt, nuk e di.

Spartak Koka: Mund të ketë pasur një dokument të falsifikuar maqedonas për të hyrë dhe për të dalë?

Berat Shabani: Nuk e di, por di që ka pasur një dokument. Tani nuk e di ka qenë legal apo ilegal. Me pas qenë legale, nuk kishte pasur punë të shkonte në emigracion.  /klanplus




Të ngjashme