Ky është automjeti tip “Mercedes-Benz” me të cilin udhëtonin 3 kushërinjtë Vilson Çutaj 37 vjeç, Klement Pepaj 21 vjeç dhe Danjel Pepaj 25 vjeç mesditën e 3 Tetorit në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe përpara se të zhdukeshin. Gazetari i Klan Plus, Edison Vatnikaj, ka mundur të sigurojë fotot e këtij automjeti me targë AA 393 GD, që tashmë është i sekuestruar nga policia në kuadër të provës materiale.

Ditën e ngjarjes, automjeti drejtohej nga Olson Çutaj, vëllai i Vilson Çutaj. Mësohet se mesditën 3 Tetorit, Olson Çutaj dhe 3 kushërinjtë e tjerë kanë qenë të katërt në këtë makinë dhe po shkonin drejt fshatit Vrith. Prej andej, Vilsoni, Klementi dhe Danjeli u nisën drejt zonës së Zagorës. Ndërsa Olson Çutaj qëndroi në makinë në qendër të fshatit duke pritur.

Sipas variantit që disponon tvklan.al, Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj akuzonin kushëririn e tyre Danjel Pepaj se u kishte vjedhur 50 kg kanabis. Për këtë arsye, ata u nisën drejt Zagorës, pasi Danjeli do t’u tregonte ku ishte fshehur kanabisi i vjedhur. Por, pas 2 orësh, Olson Çutaj që po priste në makinë, vendosi të njoftonte policinë sepse nuk kishte më asnjë kontakt me të 3 personat.

Gazetarja e Klan Plus, Aida Topalli, ka biseduar me Olson Çutën, vëllain e Vilson Çutajt, dhe ka mohuar disa deklarata të bëra në media nga babai i Danjel Pepajt, që pretendon se djali i tij është dhunuar nga ai, Klementi dhe Vilsoni. Në bisedën telefonike me gazetaren, Olson Çuta thotë se Danjelin e kanë goditur me shpulla dhe nuk e kishin vendosur në bagazhin e makinës, por po qëndronte në sediljen e pasme të mjetit ditën e ngjarjes.

Kanë kaluar 4 ditë nga zhdukja e 3 të rinjve dhe ende nuk ka asnjë shenjë prej tyre, ndërkohë që kërkimet e policisë vijojnë ende. /tvklan.al