Ekskluzive| Konfirmohet zyrtarisht, 35-vjeçari nga Kavaja u vra dhe u gropos në Shkup



Ekskluzive| Konfirmohet zyrtarisht, 35-vjeçari nga Kavaja u vra dhe u gropos në Shkup

22:22 22/06/2020

Pas 1 muaji hulumtimi nga ana e emisionit “Uniko” për çështjen e zhdukjes së Riku Beut, dhe agonisë së tejzgjatur të familjarëve të 35-vjeçarit, është zbuluar se kujt i përket trupi i pajetë i gjetur në Maqedoninë e Veriut.

Familja e 35-vjeçarit nga fshati Kryevidh i Kavajës, është sinjalizuar se trupi i pajetë që u gjet i groposur në periferi të Shkupit, i përket djalit të tyre, Riku Beut.

Autoritetet shtetërore në Shkup kanë kryer të gjitha verifikimet, në bashkëpunim edhe me homologët shqiptarë. Analiza e ADN-së dhe gjurmët daktiloskopike të marra nga trupi i pajetë, kanë konfirmuar se viktima është Riku Beu. Kujtojmë këtu se policia shqiptare, por dhe ajo maqedonase, e kanë pasur të skeduar 35-vjeçarin Riku Beu dhe dispononin gjurmë të gishtave të tij.

Një punonjës i Policisë së Shtetit trokiti në banesën e familjes Beu në fshatin Kryevidh të Kavajës rreth 5 ditë më parë. Ai u dha lajmin e hidhur se djali i tyre, që rezultonte i zhdukur prej datës 7 Mars 2020, është vrarë. Krahasimi i ADN-së në trupin që u gjet i groposur në Shkup, përputhet me shenjat e gishtave të Riku Beut.

Në studion e emisionit “Uniko” ishin i ati i Riku Beut, z.Alush, dhe vëllai i 35-vjeçarit, Dritan Beu. Babai i Rikut rrëfeu edhe se si e mësoi lajmin e kobshëm. Por, përveçse një komunikimi verbal, policia shqiptare fillimisht nuk i dha familjes asnjë dokument zyrtar, asnjë vërtetim mjekësor që trupi i pajetë i Shkupit i përket Riku Beut.

Përveç dhimbjes së thellë të humbjes së djalit të tyre, tashmë familja Beu detyrohet të përballet edhe me burokracitë dhe indiferencën shtetërore. Shqetësimi i tyre aktual është të sjellin në atdhe trupin e Riku Beut. Për këtë, ata do të duhet të shkojnë në Shkup për të tërhequr trupin e pajetë. Por, asnjë institucion nuk i informon për procedurat që duhet të ndjekin, ndërsa ambasada shqiptare në Shkup nuk përgjigjet.

Spartak Koka: Është një lajm i dhimbshëm që askush s’do donte ta kishte në familjen e tij. Kemi 1 muaj që e ndjekim së bashku të gjithë hetimin çfarë po ndodh. Në një situatë ku askush nuk fliste, askush nuk jepte përgjigje dhe nuk reagonte. Megjithëse dhe ju kishit bërë kallëzim në Komisariatin e Kavajës. Si e morët vesh lajmin e hidhur dhe ku kemi ngelur me procedurat, sepse mesa kemi biseduar, nuk po ju ndihmon askush të paktën për të kthyer trupin.

Alush Beu (babai i Rikut): Ne erdhëm në emisionin tuaj për të treguar se ku ka ngecur puna jonë. Të mërkurën, para 1 jave, na erdhi lajmi i hidhur. Shefi i zonës na tha është djali juaj. Pas 1 dite erdhi shefi i zonës edhe na pruri një adresë dhe tha ju duhet të shkoni të bëni edhe ADN-në atje, edhe tha gjeni një avokat. Këtu mbeti puna tani. Pastaj ne i çuam mesazh Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pastaj na u tha kjo se ishte në heshtje çdo gjë. Pastaj vazhduam prapë. Kjo ishte hera e dytë që i çojmë mesazh drejtorit të Policisë së Shtetit. Edhe na thirrën pastaj në Komisariatin e Kavajës. Shkuam sot më datë 22 edhe na thanë që kufoma është e identifikuar me shenjat e gishtave, ADN-n. Vijmë këtu të bëjmë testin dhe s’e bëjmë dot për pandeminë, edhe si rezultat ne këtu kemi ngecur. Kufomën ata e japin, thonë hajde se është e juaja, këta na nxjerrin pengesa. Prandaj unë i bëj thirrje organeve të shtetit, qoftë Ministrisë së Brendshme, qoftë Ministrisë së Jashtme, Kryeministrit, i lutem shumë jam shumë i stresuar, kam 4 muaj që rri… Unë jam shtetas shqiptar, nuk vij nga planet tjetër, unë jam shtetas shqiptar. Si mundet këto procedura kaq burokratike… Jo po shko te policia, jo po shko te Ministria, shko aty, shko këtu. Edhe më keq ambasada. Merr ambasadën në telefon, ambasadën shqiptare në Shkup, s’del në telefon. Çfarë shteti është ky? I lutem shumë ta vënë dorën në zemër sikur t’i ketë ndodhur atyre, se po t’i ndodhi aty e zgjidhin shumë shpejt. Nuk kam fuqi ta zgjidh unë. Fuqia ime të shkoj ta marr atë kufomë, ta varros me ato zakone që kemi. Prandaj i lutem shumë të na japin mundësinë të shkojmë.

Spartak Koka: Dritan, ne kemi folur që ditët e para bashkë dhe kemi patur mundësinë që nga muaji Maj të kemi kontakte dhe të fillonim indicie për një hulumtim më të gjatë. E para ngushëllime për vëllain, të paktën sipas informacioneve zyrtare që janë konfirmuar. Ju keni ardhur mbrëmjen e djeshme në mesnatë për të ndjekur procedurat. Ku ka ngecur? Çfarë po ndodh me rastin, për kthimin e trupit të vëllait tuaj?

Dritan Beu (vëllai i Rikut): Familja priste për të vajtur në Shkup për të verifikuar kufomën me testin e ADN-së.

Spartak Koka: Por ju e keni patur të pamundur gjatë 4 muajve të shkoni në Maqedoni për shkak të mbylljes nga pandemia Covid. Tani ku ka ngecur? Sepse që nga e mërkura kur është dhënë informacioni, pra 2 ditë pas emisionit të fundit që ne bëmë, pas momentit kur bashkëshortja dhe Alushi i shkruajtën drejtorit të përgjithshëm të policisë, patën reagime dhe dhanë një konfirmim paraprak. Jemi sot 5 ditë. Ende s’kanë nisur procedurat për kthimin e trupit të vëllait tuaj. Çfarë po ndodh?

Dritan Beu (vëllai i Rikut): Sot në datën 22 kishin thirr plakun edhe nusen e Rikut. Meqë u ndodha dhe unë këtu, shkova dhe unë. Na e konfirmuan, kufoma është e Riku Beut.

Spartak Koka: Ja u dhanë me prova se deri ditën e sotme kemi pasur vetëm një komunikim me gojë.

Dritan Beu (vëllai i Rikut): Në provat e para kishte ndodhur një gabim teknik, sot doli që kufoma është e Riku Beut.

Spartak Koka: Po çfarë ju thanë për procedurën, për kthimin e trupit në atdhe?

Dritan Beu (vëllai i Rikut): Na dhanë një adresë dhe një numër telefoni. Që ne i biem atij numri telefoni dhe asnjëherë nuk na del.

Spartak Koka: Është numër policie, numër i kujt është?

Dritan Beu (vëllai i Rikut): Numër i policisë! Dhe ai numër nuk përgjigjet. Ne si familjarë duam të shkojmë në Shkup, por kemi dhe frikën e ndalimit në doganë për shkak të pandemisë.

Spartak Koka: Për të kaluar kufirin me Maqedoninë, do duhet të paraqisni një test vërteton se ju nuk jeni të prekur me Covid-19. Çfarë ndodh? Pse nuk arrini ta keni këtë test? Sepse po ju ngatërrohet e gjithë procedura.

Dritan Beu (vëllai i Rikut): Mendimi im është që ne duhet të na japin zgjidhje, të na drejtojnë, jo shkoni. Kjo gjë nuk ndodh.

 Spartak Koka: Çfarë apeli keni?

Dritan Beu (vëllai i Rikut): Të bëjmë testin që kërkohet edhe të kemi rrugën e lirë për të vajtur. Sipas rastit, në rast se ekziston mundësia, mund të na japin edhe një person shoqërues. Ne nuk dimë ku të drejtohemi.

Spartak Koka: Megjithëse pas një muaji presioni, dhe mediatik, u arrit më në fund që të kishim një përgjigje. Sepse po flasim për një rast që ju keni vënë alarmin për humbjen e vëllait tuaj nga data 11 apo 12 Mars. Që prej asaj date ka patur lëvizje të avashta të autoriteteve, qoftë shqiptare qoftë maqedonase. U gjet një kufomë në Matkë të Epërme në 15 Maj të këtij viti. Ndërkohë, gjithë procesi u zvarrit. Tani arrihet të konfirmohet se kush është fati i vëllait tuaj, apo i djalit tuaj z.Alush, dhe ngelemi tek procedura e kthimit të trupit. Është e pakuptueshme si mund të ndodhë që një shtetas shqiptar humb jetën jashtë territorit të vendit tonë dhe as ambasada shqiptare në Shkup nuk denjon të përgjigjet, as nga autoritetet shqiptare nuk japin një procedurë të saktë te kush institucion do duhet të drejtohet për kthimin e trupit. Përse po zvarriten kaq shumë këto procedura. Sepse janë banor të një fshati të Kavajës? Sepse nuk kanë mbështetjen e personave me pushtet? Cila është arsyeja? Sepse familjarët momentalisht po presin të paktën të kthejnë trupin, ta varrosin atë sipas traditave dhe zakoneve. Dhe më pas për të kërkuar të vërtetën. Por as këtë gjë nuk po e bëjmë. Ndoshta kush na dëgjon nga institucionet ligjzbatuese mund ta marrë në shqyrtim rastin dhe t’u japë një zgjidhje këtyre familjarëve të cilët përveç dhimbjes dhe lajmit të kobshëm që kanë marrë, tashmë po përballen me një procedurë tjetër, atë të zvarritjes së procedurave për kthimin e trupit në Shqipëri.   /klanplus




Të ngjashme