Në Shqipëri, përgjatë viteve 2015-2016 pati një rritje të pashpjegueshme të numrit të denoncimeve për persona të zhdukur, paralelisht pati dhe kufoma të gjetura në zona të braktisura që ende sot nuk ka një të dhënë për identitetin e tyre. I tillë është dhe rasti i Librazhdit, ku në fshatin Babje, rreth 8 km larg qytetit, u gjet një kufomë e dekompozuar pothuajse tërësisht.

Fillimisht u dyshua se kishim të bënim me kufomën e një femre. Por pak ditë më vonë do të zbulohej se trupi i gjetur ishte i seksit mashkull dhe sipas të dhënave të ekspertizës paraprake mjekoligjore, bëhej fjalë për një person rreth 170-175 cm i gjatë.

Për këtë arsye, Policia e Librazhdit e koordinuar nga Zyra Qendrore e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, do t’i kërkonte  informacion të gjitha drejtorive vendore në qarqe. Megjithë informacionet e shkëmbyera mes drejtorisë qendrore dhe atyre vendore, asnjë e dhënë e nisur nuk rezultoi e vlefshme për identifikimin e viktimës. 

Për kufomën u dyshua mbi identitetin e disa personave të zhdukur. Dy prej tyre, që ende sot e kësaj dite nuk janë gjetur, emisioni “Uniko” i ka trajtuar edhe në puntatat e mëparshme.

Teksa kanë kaluar 5 vite nga gjetja e skeletit në fshatin Babje, hetuesit ende nuk kanë një përgjigje se kujt i përket kjo kufomë.

Sot kur mbushen 5 vjet nga ngjarja, ne u kthyem në vendngjarje për të mësuar më shumë, se si u zbulua kufoma dhe çfarë detajesh të pathëna ka nga kjo ngjarje, të rrëfyer nga banorët e fshatit që ishin të parët që njoftuan policinë, se një kufomë e dekompozuar ishte gjetur në lagjen e epërme të fshatit.

Për herë të parë sonte do zbulojmë fotot e kufomës së viktimës së gjetur me 25 Prill 2015. Janë foto që tregojnë momentet pasi është gjetur kufoma dhe ka elementë të rëndësishëm që mund të sjellin zbulimin e identiteti.

Kush ka dyshime se mund të gjejë gjëra të përbashkëta të kufomës së Babjes dhe njeriut të tyre të afërt mund të na telefonojë ne apo Policinë e Shtetit për të ndihmuar në identifikimin. Pamjet që do publikojmë janë të rënda dhe këshillohet që të bëhet kujdes që mos të shihen nga fëmijët./tvklan.al