Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka publikuar për herë të parë fotot ekskluzive të masakrës së 3 Shkurtit 2016 në Elbasan, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën 9 të tjerë.

Në këto foto të fiksuara nga kamerat e sigurisë, duket automjeti i atentatorëve teksa ndalon përpara lokalit në pronësi të Agron Çapjas.

Ishte ora rreth 19:54:57 sekonda, kur në lagjen ‘Emin Matraxhiu’ në Elbasan, persona të pa identifikuar qëlluan me armë zjarri në ambientet e brendshme të lokalit.

Autorët erdhën nga rruga kryesore, e më konkretisht nga faqja e Kodër Krastës me një “Mercedes-Benz” ngjyrë gri dhe më pas parkuan përballë lokalit të Agron Çapjes.

Emisioni “Uniko” ka publikuar gjithashtu fotot nga brenda lokalit ku ndodhi masakra, pak minuta përpara se të autorët të hapnin zjarr me breshëri.

Në lokal, sipas kamerave të sigurisë të fiksuara aty, ishin brenda 14 persona të vendosur në tre tavolina të ndryshme. Në njërën prej tyre ishin ulur 6 persona, që ishin dhe objekt i sulmit.

Në orën 19:54:07 sekonda mjeti i autorëve dallohet nga kamera e sigurisë së lokalit në distancë të largët me dritat ndezur.

Në orën 19:54:28, automjeti merr kthesën dhe e qëndron jashtë ambienteve të lokalit ku ishin të parkuara dhe tre mjete të tjera, siç duken në fotot e siguruara nga emisioni “Uniko”.

Nga mjeti tip “Mercedes-Benz” ngjyrë gri dalin tre persona të armatosur me automatik. Njëri prej tyre futet në brendësi dhe dy të tjerët qëllojnë nga jashtë.

Nga të shtënat mbetën të vrarë Agron Çapja 50 vjeç, Ardit Sinakolli 27  vjeç dhe Eno Bedalli 38  vjeç. Gjithashtu mbetën të plagosur Ardian Zharri 45 vjeç, Fejzulla Çapja 58 vjeç, Ferit Muça 42 vjeç, Luan Muça 47 vjeç, Bujar Rreshka 40 vjeç, Florenc Çapja 35 vjeç, Arnold  Çapja 23 vjeç, Erdis Sulku 33  vjeç dhe Bledar Muça 36 vjeç.

Nga  veprimet e para hetimore, në vendin e ngjarjes policia gjeti dhe sekuestroi 3 automatikë dhe 65 gëzhoja. Sipas policisë, 2 autorët kryesorë kishin zbrazur karikatorët duke qëlluar në drejtim të të pranishmëve në lokal.

Forcat Renea, FNSH dhe Policia e Elbasanit ushtruan kontrolle në dhjetra kontrolle në banesa në Elbasan, Peqin, Cërrik, Librazhd e Gramsh.

Gjithashtu u kontrolluan në akset rrugore e në qytete automjete të dyshuara që mund të lëviznin autorët. 46 persona u shoqëruan në momentet e para, dhe 150 garazhe u kontrolluan, por pa rezultat.

Për të plagosurit u vu në dispozicion helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes për t’i sjellë drejt Tiranës. Gjendja shëndetësore për disa prej tyre paraqitej e rëndë.

Një grup specialistësh të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të kryesuar nga Drejtori  i   Krimeve të Rënda, mori drejtimin e hetimit ku në bashkëpunim me  Specialistët për Krimet e Rënda në  Drejtorinë e Policisë Elbasan si dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan punuan për shumë javë për zbardhjen e ngjarjes, por pa rezultat.

Hetuesit ishin të paqartë se nga kush ishte urdhëruar dhe kryer ngjarja. Pistat e para dhe më të besueshme ishin ato të hakmarrjes për shkak të konfliktit 10-vjeçar me familjet Mema, Beqiri, Sheme, Rexhepi.

Por secila prej familjeve mohonte, madje dhe publikisht, të kishte lidhje me ngjarjen. /klanplus