Emisioni ‘Uniko’ nga Spartak Koka në Klan Plus, publikon për herë të parë pas 9 vitesh foton ekskluzive të Romeo Vides. Me sy bojëqielli,me mustaqe dhe flokë të rëna në pjesën ballore të kokës, Vide është ende sot i dyshuari i vetëm për ngjarjen ku humbi jetën juristja 32-vjeçare Aurora Trashani më datë 2 Shkurt 2011.

Romeo kishte ardhur në Shqipëri më datë 1 Shkurt, ku rreth orës 14:30 kishte zbritur në aeroportin e Rinasit. Por para se të nisej për në Shqipëri, ai kishte telefonuar mikun e tij taksist me emrin Abedin që të dilte ta priste në aeroport.

Gazetari Habjon Hasani: E kishte kontaktuar dhe i kishte kërkuar disponim të plotë, përsa kohë unë do rri në Shqipëri t’i do më përgjigjesh në çdo kohë. Dhe unë do të paguaj pavarësisht orarit. Në këto rrethana ka qenë i dyshuari ky, zoti Abedin, që ka pas shoqëruar Romeon dhe të paktën, siç unë e kam lexuar në atë periudhë, si një taksist që nuk e kishte idenë se ku synonin qëllimet e klientit të tij.

Gazetarja Etleva Delia: Ky kishte komunikuar vazhdimisht në atë kohë, që në atë kohë u arrestua jo vetëm si përkrahës i autorit të krimit por dhe si bashkëpunëtor i tij pasi nuk pranonte të fliste dhe mohonte gjithçka.

Romeo, sipas relacionit policor të vitit 2011, kishte tentuar gjatë kësaj kohe të kontaktonte me telefon me Aurorën.

Gazetarja Etleva Delia: Ky i ka rënë disa herë telefonit të Aurorës të komunikojë me të. Një antenë tregon që ky ka qenë diku afër Fakultetit të Drejtësisë ku ajo kishte punë tek Autoriteti i Konkurrencës. Në atë zonë janë dhe dëshmitarët që deklaronin se Aurora Trashani është takuar me një burrë që ata e përshkruanin si fizik. Kanë ecur bashkë, kanë debatuar, janë zënë. Dëshmitarë të tjerë thonë dhe tek pallati ku  jetonte Aurora dhe janë futur brenda. Se ai është futur në shtëpinë e Aurorës, thuhet dhe në relacionin e policisë nga të dhënat që ata kanë siguruar, ai ka fjetur disa herë në shtëpinë e saj. Një natë para ngjarjes, dëshmitarët thonë se është i njëjti person që futej disa herë por që ata nuk e njihnin. 

Foto: Aurora Trashani dhe autori i dyshuar Romeo Vide

Hetuesit mësuan se Romeo Vide, baba i dy vajzave, ishte ndarë nga bashkëshortja në vitin 2008 dhe  kishte krijuar një lidhje me Aurorën që prej muajit Shtator 2010. Lidhje e cila e detyronte që të vinte më shpesh në Tiranë gjatë periudhës Tetor – Dhjetor 2010. Madje ai e kishte prezantuar Aurorën dhe tek e ëma e moshuar që jetonte në zonën e Kombinatit, si dhe kishte vajtur në Shkodër ku jetonte familja e Aurorës dhe ishte prezantuar dhe me një prej motrave. Ndërkohë, gjatë muajit Janar të vitit 2011, Aurora  u kishte rrëfyer shoqeve shqetësimet e para.

Njëra prej motrave u ka rrëfyer hetuesve se në muajin Dhjetor 2010, Aurora kishte vajtur në Shkodër me Romeon dhe kishin pirë kafe tek turizmi “Rozafa”,  dhe më pas Romeo i përcolli me makinën e tij në shtëpinë  e tyre që ndodhet prapa stadiumit. Më pas Romeo ishte nisur drejt Tiranës. Sipas B.Trashanit, Aurora i kishte thënë se ishte thjesht një shok që jetonte në Gjermani dhe nuk duhet të bëhej merak.

Por pas disa ditësh, në telefonin e motrës së Aurorës kishte ardhur një SMS nga Romeo: “Përshendetje B… Jam ai shoku i Rorit që e solla në Shkodër, me kënaqësi po qe se do ta shikonit të arsyeshme, doja t’ju takoja për një kafe. Për mua nuk ka rëndësi se ku, në Shkodër apo në Tiranë. Me respekt Romeo”.

Duke shprehur habinë, ajo menjëherë i kishte telefonuar dhe vënë në dijeni Aurorën e cila ishte mërzitur shumë dhe i kishte premtuar se do e rregullonte ajo problemin. Po atë mbrëmje, Romeo i dërgon një SMS tjetër motrës së Aurorës, nga i njëjti numër, ku i shkruante: “B. më fal, pa asnjë ide të keqe ju ftova për kafe. Duke pasur aq respekt për Aurorën, prandaj ju ftova. Më falni nëse ju kam shqetësuar. Me respekt Romeo”. 

Fakti i pranisë së Vides në Shkodër në Dhjetorin e vitit 2010, provohet dhe nga hetuesit që konfirmuan se Vide kishte hyrë nga pika e Muriqanit me  një automjet me targa të huaja “MZRV400” dhe kishte dalë më datë 22 Dhjetor 2010 nga Durrësi ku kishte udhëtuar me traget së bashku me mjetin.

Një prej shoqeve të Aurorës, shtetase franceze me inicialet S.D, ka dëshmuar se gjatë muajit Dhjetor 2010 ka qëndruar për disa ditë në shtëpinë e saj. Një natë ka qenë për darkë dhe Romeo. Pasi kishin mbaruar së ngrëni, ajo i kishte shprehur Aurorës mendimit se Romeo nuk ishte tip i qetë. Aurora më pas i kishte rrëfyer se ishte duke e njohur por nuk po i pëlqentë pasi ishte më i madh në moshë dhe ishte shumë posesiv dhe i ashpër.

Disa detaje të rëndësishme përforconin dyshimet e policisë se ai ishte i përfshirë në ngjarje. Romeo Vide, në kohën kur ka ardhur në Shqipëri, ka përdorur dy numra telefonik, një numër gjerman dhe nje numër të shqiptar.

Me këto numra, gjatë 3 ditëve rezulton të ketë folur me Abedin M., taksist dhe shofer ambulance,  V.M. djali i tezes, zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë, dhe V.N. tezja e tij.

Vrasja e Aurorës, sipas hetuesve dyshohet të ketë ndodhur gjatë mbrëmjes së datës 1 Shkurt, ku është qëlluar për vdekje 64 herë me thikë. Ngrohësja me gaz që përdorej vetëm në kuzhinë, atë ditë ishte spostuar afër Aurorës dhe batanijes që mori flakë më vonë duke shkaktuar zjarr në shtëpi. Çelësi i derës nuk ndodhej në bravë, ashtu siç bënte zakonisht 32-vjeçarja.

Dëshminë e dhëna nga tre vetë që janë marrë në pyetje si persona që kishin për lëvizjet e Romeos natën e 1 Shkurtit, janë tepër kontradiktore me njëra tjetrën.

Abedin M., me profesion taksist që rezulton të ketë patur dhe kontaktet më të shpeshta me të dyshuarin, ka rrëfyer se Romi e kishte telefonuar vetëm njëherë mbrëmjen e 1 Shkurtit rreth orës 22:00 dhe e kishte kërkuar për ta takuar pasi ishte kthyer nga Gjermania. Ai pretendon se  vajti në Kombinat atë natë ku qëndroi tek shtëpia e Romeos për 20 minuta dhe u largua. 

Një version tjetër ka nëna e Romeo Vides, e cila në dëshminë e saj mohonte faktin se në banesën e tyre mbrëmjen e asaj nate të kishte ardhur njeri për vizitë.

Një tjetër version nga dy të mëparshmit ka tezja e Romeos, e cila sqaron se ka qenë në banesën e të motrës gjatë datës 1 Shkurt nga ora 14:00 deri më datë 3 Shkurt. Ajo mohon që në banesën e të motrës të kishte vajtur ndonjë person gjatë pasdites dhe darkës së datës 1 Shkurt. Gjatë mesnatës, motra e saj ishte ngritur dhe kishte vajtur në kuzhinë, aty kishte mësuar se Romeo sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte takuar këtë të fundit të nesërmen në mëngjes. Ajo mohon se në banesën e të motrës të kishte vajtur ndonjë shok i Romeos deri me datën 3 Shkurt kur ishte larguar.

Në datën 3 Shkurt, Romeo Vide ishte nisur për në Gjermani sërish nëpërmjet aeroportit të Rinasit dhe ka dale prej andej në orën 13:20. Por paraditen e 3 Shkurtit ai kishte kërkuar dhe ndihmën e djalit të tezes, funksionar në Kuvendin e Shqipërisë. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, V.M. pranon faktin se kishte folur me Romeon gjatë datave 1, 2 dhe 3 Shkurt. Ai dinte se Romeo dhe Aurora ishin të lidhur.

Romeo arrin t‘ju shpëtojë  policisë duke u larguar drejt Gjermanisë. Kur hetuesit shkuan në shtëpinë e tij në Kombinat, ishte shumë vonë. Në banesë u hapi derën nëna e Romeos, zonja Dafina. Ajo rrëfeu para hetuesve se mbi vdekjen e Aurorës ishte informuar nga televizioni më datë 2 Shkurt ku në banesë ishte Romeo dhe e motra, dhe gazetën Panorama e kishte blerë për të mësuar mbi detaje të tjera rreth krimit.

Hetuesit nuk u ndalën, ata arrestuan taksistin Abedin M. si i dyshuar për përkrahje në vrasje, por u la i lirë pas disa muajsh për mungesë provash shkencore për përfshirje në krim, pavarësisht se dëshmitë e tij ishin të pasakta dhe nuk përputheshin me përgjigjet e kompanineve telefonike për lëvizjet, telefonatat dhe takimet me Romeo Viden para, gjatë dhe pas ditës kur Aurora u gjet e vrarë.  /klanplus