Kanë kaluar 9 minuta nga mesnata e 1 Prillit…

Kjo kamera sigurie e një biznesi në Rrugën e Kokonozëve, në Tiranë, filmon momentin kur Desara Mançellari niset drejt makinës së nënës së ish – të dashurit të saj.

Në pamjet e siguruara nga Televizioni Klan, ajo shfaqet me një çantë shpine, ku kishte futur shishen e benzinës.

Është e veshur me një xhup me kapuç.

Qëndron e fshehur pas një makine tip Mercedes për të kontrolluar zonën. Dhe në pak sekonda, 23 – vjecarja i afrohet me hap të shpejtë autoveturës tip “Audi” të familjes Papajani.

Pasi hedh benzinën, makina shpërthen në flakë.

momenti

Nga shpërthimi i menjëhershëm, ajo rrezikon edhe veten. Por pasi u shpëton flakëve, largohet qetësisht.

Sapo shkon në shtëpi, sipas policisë, ajo i vendos të gjitha rrobat që mbante veshur në lavatriçe, për të zhdukur çdo gjurmë, pasi i mbanin era benzinë.

Policia ra në gjurmët e saj nëpërmjet këtyre pamjeve filmike.

Pak orë pasi makina e nënës së Filip Papajanit ishte shkurmbuar, sëbashku me një rulotë të familjes së tij, ajo vihet në pranga.

Nga zjarri u prekën edhe dy mjete të tjera.

Desara, e pyetur në polici, e pranoi autorësinë, me justifikimin se ish – i dashuri e kishte dhunuar dhe familjarët e tij e kishin fyer herë pas herë.

Ajo është shprehur se nuk ka patur si qëllim djegien e makinave të tjera, por vetëm Audin e nënës së Filipit, pasi besonte se ishte ajo që e kishte detyruar ish – të dashurin të ndaheshin, me pretendimin e diferencës së moshës dhe arsye të tjera.

cifti

Në bisedat mes dy të rinjve në rrjetin social Facebook, kuptohet insistimi i 21 – vjeçarit për t’u rilidhur, ndërsa Desara e akuzon se më 21 Mars, ai e kishte qëlluar me shuplakë.

Filipi i thotë se nuk mundet të jetojë pa të, ndërsa vajza i kërkon kohë për të marrë veten, duke i thënë se po luan mendsh, por duke i kujtuar se nuk i harron shuplakën që i kishte dhënë.

Desara Mançellari akuzohet për shkatërrim të pronës dhe rrezikon të dënohet deri në 5 vite burg për krimin e kryer.

Spartak Koka/Tv Klan