Ekskluzive/ Zbulohet pasaporta greke e Admir Murataj

Foto: Nga e majta, pasaporta greke e falsifikuar e Admir Muratajt

Ekskluzive/ Zbulohet pasaporta greke e Admir Murataj

21:25 11/04/2019 Tvklan.al ka siguruar foton e pasaportës greke të falsifikuar të Admir Muratajt, njërit prej grabitësve të vrarë më 9 Prill 2019 gjatë grabitjes së miliona Eurove në Rinas. Në pasaportën greke false që zotëronte, Admir Murataj ka patur identitet tjetër. Ai quhej Christos Papadias, siç deklaroi gazetari

Spartak Koka

në emisionin "Opinion". Murataj përdorte gjithashtu edhe shumë identitetet të tjera. Sikurse vihet re në foto, në maskën e silikonit që mbante gjatë grabitjes në aeroportin e Rinasit më 9 Prill, Murataj kishte "kopjuar" identitetin e tij të para disa viteve, kur kishte marrë pasaportën greke.

Më pas, ai kishte ndryshuar pamje, sikurse duket në foton tjetër. Pamja e tij me flokë është e vetmja fotografi publike, pasi është bërë në momentin kur është arrestuar në Greqi për disa grabitje.

Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kërkuan edhe ndihmën e policisë greke për ta identifikuar kur Murataj mbeti i vrarë. Ekspertiza e materialit gjenetik (ADN-ja) dhe shenjat e gishtave nga ana e policisë greke bënë të mundur identifikimin e Admir Muratajt.

E SHKUARA E ADMIR MURATAJT NË GREQI

31 Dhjetor 2012 - Një bandë shqiptarësh sulmuan një pikë karburanti në fshatin Neo Monastiri Fthiotidas. Pjesë e bandës ishte edhe Admir Murataj. Banda kërcënoi me armë rojen 45-vjeçar të karburantit. Por kamerat e sigurisë treguan se 45-vjeçari kishte bërë rezistencë. Admir Murataj qëlloi me 3 plumba kallashnikovi rojen, duke e lënë të vdekur. Nga pika e karburantit, banda e shqiptarëve mori 3 mijë Euro.

Janar 2013 - Arrestohen në Athinë Admir Murataj dhe Klement Çala (banda e kallashnikovit). Të dy kanë qenë të përfshirë në grabitje të 9 bankave, banesave, makinave etj., duke përfituar 2 milionë Euro. Në 6 raste ishin vjedhur bankomate në zona të ndryshme të Athinës, të cilat ishin shpërthyer me eksploziv.

22 Mars 2013- 11 persona arratisen nga burgu i Trikalas. Bëhet fjalë për bandën e Marjan Kolës, mes të cilëve ishte edhe Admir Murataj. Pasi prenë hekurat, të burgosurit u ngjitën mbi çatinë e burgut. Ndërsa bashkëpunëtorët e tyre në anën e jashtme të murit rrethues, qëlluan ndaj rojeve të burgut dhe plagosën dy prej tyre. Tetë ditë më vonë, banda grabiti një restorant në autostradën e vjetër Athinë - Thivas. Gjatë ndjekjes nga policia, pati shkëmbim zjarri dhe mbeti e plagosur një vajzë 25-vjeçare.

16 Maj 2013 - Admir Murataj dhe bashkëpunëtor i tij (Klement Çala) grabisin 1.2 milion Euro në Bankën Kombëtare në Lamia. Paratë nuk u gjetën kurrë.

Maj 2013 - Në lagjen Peristeri të Athinës, Admir Murataj gjatë tentativës për të grabitur një supermarket, i shpëton aksionit të policisë për ta arrestuar. Në pranga bie bashkëpunëtori i tij Ermal Lita, i arratisur edhe ky nga burgu i Trikalas.

17 Qershor 2013 - Autoritetet greke ranë në gjurmët e të arratisurve në zonën e Fthiotidas. Banda ishte ndarë në dy grupe. Grupi i parë përbëhej nga tre persona. Gjatë kërkimeve, pati sërish përleshje me armë zjarri dhe mbeti i vrarë oficeri i policisë Giorgos Andricopulos. Ndjekja vazhdoi në malin Thermo në një zonë rurale. Aty përleshje të ashpër mes bandës së Marjan Kolës dhe forcave speciale greke. Nga të shtënat u vranë dy prej të arratisurve, të cilët ishin të përfshirë në vrasjen e policit grek. Fillimisht u dyshua se njëri prej tyre ishte Admir Murataj, por rezultoi e gabuar.

Gazetar: Spartak Koka

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT