Feride Spahia ishte në dijeni të konfliktit që vajza e saj kishte me bashkëshortin, Admirin. Thotë se Ida Dervishi, u vra pasi tërhoqi 30 mijë lekë në bankë, për të ushqyer fëmijët.

Një muaj para se ta vriste, Admiri e kishte dhunuar Idën pasi kjo e fundit i kishte kërkuar të blinte 1 kilogramë kungull për t’i bërë supën vajzës 10 muajshe.

56 -vjeçarja tregon përse nuk kishin bërë denoncim për këtë rast.

Por ky nuk ishte i vetmi rast.

Sipas nënë Ferides, Admiri e kishte përdhunuar disa herë bashkëshorten në sy të djalit të vogël.

Ajo sqaron dhe faktin se përse Ida u rikthye te bashkëshorti pas 2 urdhërave të mbrojtjes në vitin 2013.

12970428_10154104839474826_499037998_o

Nëna e Ida Dervishit kërkon që pas humbjes së vajzës të ketë kujdestarinë e fëmijëve.

Ajo akuzon insititucionet se e kanë neglizhuar rastin dhe nuk kanë marrë masat e nevojshme.

Tv Klan

Intervista e plotë e nënës së Ida Dervishit, gruas që u vra ditën e mërkurë nga bashkëshorti i saj, në sy të fëmijëve.

“Një muaj përpara e kishte rrahur dhe e kërcënonte për arsye se e kishte lënë pa bukë. Ajo ka vajtur dhe ka marrë kartën e bankës dhe ka tërhequr rreth 30 mijë lekë. Ai e rrihte, e linte pa bukë. Ajo s’kishte të drejtë as të kartës së bankës, as të kartës së identiteti. Nuk ka pas të drejtën as të dilte në pazar të blinte, çdo gjë bëhej nën kontrollin e tij. Ajo për kaq vite martesë, asnjëherë nuk ka patur lekë në dorë. Një muaj më parë ai e ka marrë në telefon dhe iu është përgjigj djali. Vajza i thotë: “Kush është në telefon?”. Ai i thotë është “-Babai.” “Mirë”- i thotë, “thuaji babait, të sjellë pak kungull për gocën, që t’i bëj pak supë” dhe djali i ka thënë.

Dita ka vazhduar, ajo është kujdesur për fëmijët. Ai ishte në dyqan se ishte pushim dhe kur ka ardhur në shtëpi, Ida e ka pyetur nëse e kishte blerë kungullin për të bërë supën për gocës. Nuk më ke thënë gjë, i thotë, edhe ia fut në grusht. I thyen dhëmbët dhe ajo është rrëzuar nga grushti…

Ajo ka qenë duke larë enët, e ka marrë nga flokët zvarrë, e ka nxjerr në korridor, aty në korridor e ka kap dhe i futur thonjt në fyt. Ka ndërhyrë çuni, duke i thënë “Lëshoje, o babi!” “Babi, lëshoje”, ndërsa goca ka qenë duke qarë…

Aty e ka lëshuar, ka hapur derën dhe ka ikur. Djali më mori mua në telefon. E pyes, çfarë ke?” Më thotë hajde, se babi e ka rrahur mamin, e ka larë me gjak. Në të qindën e sekondës jam vesh, kam dalë dhe kam marrë taksinë. Arrita të shtëpia, aty zbriti çuni. “Ça ke? – i thashë. “Babi, -tha, “E rrafi mamin, sepse nuk kishte blerë kungull, që ajo i kërkoi për motrën”. Nuk e zgjata, sepse nuk doja ta rëndoja fëmijën.

Kur shkova lart, goca ishte e shtrirë përtokë, shenja në fytyrë, krahun e nxirë, shpina nuk kishte vend të bardhë. “Ngreu! -i thashë. “Ikim, kështu siç je”. Ai nuk ndodhej në shtëpi. Kishte marrë pistoletën me vete dhe kishte ikur. I kishte bërë edhe presion, që të mos dilte nga dera e shtëpisë. I thashë gocës. “Hajde, çfarë do bëjmë? “Për mendimin tim – i thashë, nëse do më pyesësh mua, ky muhabet nuk shkon më. Përditë, përditë dhunë, nuk shkon, je duke lënë jetën”.

“Mam”- tha, “si këtu dhe atje tek ty, jam e vrarë…”

Kjo ka ndodhur rreth një muaj më parë dhe e ka përsëritur edhe herë të tjera. Në moment nuk bëra denonocim sepse kisha frikë me dalë, sepse kishte pistoletë. Goca më tha, “Mos dil, se do vritesh ti edhe unë!”

Ndenjëm… S’dinim ç’të bënim. Mendova thashë të marr të atin e tij në telefon. Ia shpjegova të gjithë ngjarjen në telefon, ia kam shpjeguar duke qarë. Në polici, kisha frikë të shkoja.

Më doli nëna e tij dhe më tha: “Çfarë të bëj unë?”

“Më beso”, i thashë. “Po nëse nuk më beson se çfarë ka bërë ai, do më nisësh burrin tënd të vijë këtu, ndryshe unë do shkoj në rajon, po mos më thoni nesër…”

Ai erdhi të nesërmen. Goca e pranoi të gjithë ngjarjes përpara të atit të tij.

“Ai është imoral, ai është rrugaç, ai është hajdut, ai është i pafytyrë, ai ka të gjitha të zezat që mund të ekzistojnë”.

Goca ime, atij i kishte kapur një fotografi në xhep, një fotografi femre… Por nuk ka guxuar ta pyesë, sepse kishte frikë se mos e vriste. Ai rrogën e vet e hante vetë, çfarë tepronte e hante ime bijë. Për sa vjet ka jetuar me të, përveçse nënës, nuk ia ka ngopur njeri barkun me bukë.”

NENA 1 me logo 2

Gazetari: Ju thoni kjo ngjarje ka ndodhur përpara rreth një muaji, pra i bie në muajin Mars. Përse vazhdoi vajza juaj të qëndronte, kur ai vazhdonte të ushtronte dhunë?

“Jam e vdekur, edhe aty tek ty”, më tha . I kishte thënë se, “edhe po të ndahesh do të vij të të vras edhe atje”. Goca ka tentuar disa herë të dilte, ai e kërcënonte para fëmijëve, se “po më le, do vras veten”. Kthehej çuni, sepse kujtonte se i ati do vriste veten, e niste të qante. Kthehej goca…  ”

 

Po ditën e ngjarjes, çfarë ka ndodhur?

“E la pa bukë. Përpara së të ndodhte, episodi që ishte rrahur, e kam marr dhëndrin në telefon dhe i kam thënë: “Ku je?”. E mora dhëndrin veç, pa i thënë gjë gocës dhe i thashë: “Dëgjo, ti po vazhdon dhunë përditë, ti një arsye të brendshme e ke. Nëse ti do tjetër, më thuaj mua. Jam unë ajo që do të ta jap lejen, që do të të ndihmoj, vetëm largohu. Nëse do të jetë vajza ime ajo që do të vijë tek ty të kërkojë, të vijë të jetojë me ty me patjetër, ma lejo mua këtë punë, sepse do të jem unë ajo që do ta mbaj. Ti ke gjithë të drejtat. Nëse gjyqi do të vendosë që ti, nuk e di si është ligji, që do ta mbash fëmijën 2 apo 3 herë në muaj, ti do t’i marrësh përditë, i thashë. Do t’i shohësh përditë. Unë do jem ajo që ta jap me firmë, me deklaratë, kur të duash ti. Sa herë që ti të vish tek dera e shtëpisë, do të t’i jap unë fëmijët, sepse janë fëmijët e tu.”

Pra i ofruat një kompromis që të mos kishte më dhunë…

“Po, të shpëtoja jetën e gocës… Goca e pranonte dhunën, sepse kishte frikë se e vriste, sepse do t’i merrte fëmijët.”

Çfarë ju tha?

“E dua”, -tha “Idën”. “Nuk ka mundësi”, -i thashë, “ti ta duash Idën”. “Po më thuaj” -i thashë, “nëse ti do dikë tjetër… Ty Ida të ka gjetur një fotografi të dikujt tjetri në xhep, por ajo nuk ka guxuar të ta thotë ty, se kush është kjo. “Jo”,- më tha, “nuk është e vërtetë”. “Dëgjo”, i thashë, “të dola borxhit, por po të them edhe një herë tjetër, nëse ti do të vazhdosh dhunën, unë do të shkoj vetë në polici”.

Nuk kishte frikë nga policia, është i mbrojtur nga policia. Është zonja Eleonora Dervishi, punonjëse e SHIK –ut, që e ka mbrojtur”.

PALLATI

Ditën e ngjarjes, çfarë ka ndodhur?

“Ai filloi te ngrite kurthe. Ida i ka marrë kartën, se e kishte lënë pa bukë, kështu që Ida, ka marrë kartën e bankës. Fillimisht nuk ka ditur Pin-in, kështu që ia ka kërkuar atij, sepse nuk mund të lë fëmijët pa bukë.”

Pra ai nuk jepte lekë për fëmijët?

“Absolutisht! Jo një herë, por gjithë ditët që ka jetuar me të, fëmijët kanë vuajtur për bukë. Goca ka vajtur ka tërhequr 10 mijë lekëshin tek banka. Kjo mund të ketë ndodhur 3 ditë përpara ngjarjes. Tani ai e ka kuptuar, sepse e ka parë që i ka marrë kartën. Ka marrë dhe ka shkruajtur një letër: “Mua në shtëpi më mungojnë 100 mijë lekë, ti këto lekë ia ke dhënë nënës tënde, më gjej lekët me patjetër, sepse ndryshe do të bëhet nami.” I ka shkruajtur prap letër: “Më gjej me patjetër lekët sepse më kanë humbur”. Kjo ka ndodhur ditë përpara ngjarjes. Ajo i ka thënë se nuk i ka marrë lekë, asnjëherë.

“Unë të kam marrë lekë, të kam marrë kartën vetëm për të ushqyer fëmijët, edhe nga ajo më duket, një 30 mijë lëkësh”. 

“Më datë 5 erdhi për të më uruar ditëlindjen. E ushqeva, i dhashë derkë, i bleva një palë atlete. Ajo më shpjegoi, më tha: “Mami ky po krijon një alibi, që unë këtë e rraf, e vras, por e kam një arsye. “Kur ti e di”, – i thashë, “përse nuk kthehesh në shtëpi”. Ajo u kthye dhe më tha: “Si këtu tek ty, si atje, unë jam e vdekur. “Do të shkoj, sepse më thotë se, sa të bëhet çuni 7 – vjeç do të ta marr”.

Edhe në marrëdhënie në shtëpi, kur ai ishte në qejf i thoshte: “A moj qyqe ti! Ti do vdesësh e re”.

I thoshte djalit, Kledjon, ty do të të rrisë një mami tjetër. Ia thoshte vazhdimisht, kjo fjali ka qenë e përsëritur pa ndërprerje”.

IDA DERVISHI me logo

Po ditën e ngjarjes?

“Nuk e di çfarë ka ndodhur ditën e ngjarjes. Ajo iku me datë 5, më datë 6 në mëngjes ka gdhirë e vdekur. Unë u ngrita në mëngjes dhe e pashë që kishte vdekur nga televizori. E pashë në televizor, por më gënjeu mendja, se thuhej se është jashtë rrezikut për jetën. Mendova është në dorë të mjekut, është e re dhe do ta kalojë. Kam marrë taksinë dhe kam vajtur tek fëmijët, që t’i merrja. Ndërkohë më merrnin motrat e atij në telefon. I pyeta, “a dini gjë se çfarë ka ndodhur?”, me mendjen që është jashtë rrezikut për jetën. I pyeta ku janë fëmijët dhe më thanë se nuk e dinin, ndërkohë ato kishin qenë tek fëmijët.

Kur vajta atje, polici që ndodhej tek dera më tha që nuk mund të futesha brenda. “Përse?” -i thashë. “Unë nuk kam ardhur për konflikt, kam ardhur për të parë fëmijët. Si ka mundësi që nuk u lejokam?”. U ula tek shkallët dhe aty pranë ndodheshin disa burra, më duket të policisë, nuk e di. I pyeta ku janë fëmijët. Ata sikur u impresionuan nga mua. “Ku janë fëmijët?, i thashë. Nuk kam ardhur për konflikt, por thjeshtë kam ardhur për të marrë fëmijët. E di që ajo është në spital…

“Fëmijët i ke në kat të tretë”, më thanë. Fëmijët i kishte çuar ai me dorën e vet tek komshinjtë e katit të tretë. Ai komshiu, ku i kishte lënë fëmijët, më priti shumë keq, u irritua. Nuk donte që unë t’i merrja fëmijët. E pyeta: “Kush je ti, more djalë?” “Jam komshiu”, – më tha. “Po unë jam nëna”, -i thashë.

Ik më tha, se i ke në kat të katërt. Ndërkohë që unë jam ngjitur ata i kishin marrë fëmijët dhe i kishin futur në hyrjen tjetër. Por unë isha shumë e bindur që fëmijët ishin në katin e tretë, sepse ma thanë njerëzit e policisë. Ndaj u ula zura derën, zura dhe shkallët që t’i prisja kur të dilnin nga dera e ashensorit

… sepse kushdo që të kalonte si nga ashensori si nga shkallët do kalonin para meje sezbën”.

Nuk donin t’ju jepnin fëmijët?

“Ashtu ngjante. Pastaj doli njëra nga komshijet, pashë njërën nga motrat. E pyeta: Jonida, çfarë bën ti këtu? Ku janë fëmijët?  Ti më the që ishe në shtëpi, jo tek fëmijët. Megjithatë, prap kisha bindjen që do ta gjeja vajzën gjallë. Hajde i thashë, merrni fëmijët dhe mblidhemi, mos u bëni më gazi i botës. S’ keni pse rrini nëpër dyert e botës, po hajde marrim fëmijët dhe ikim tek shtëpia ime. I kam marrë motrat e tij në shtëpi bashkë me fëmijët. I dhashë 15 mijë lekë dhe i thashë të shkonin të bënin pazar, të hanin fëmijët dhe ato. Ndërkohë, nusja e djalit më merr në telefon dhe më pyet ku isha. “Kam dy fëmijët me vete bashkë me motrat e Adit”, – i thashë, “me vete”. “Po si është gjendja e Idës”, – e pyeta. “Ida”, – tha, “është në sallë të operacionit”. Ida kishte vdekur… “Më prit” – më tha, “mos lëviz nga shtëpia, mbaji edhe fëmijët dhe gocat aty”. Erdhi nusja, mori gocat dhe i nxorri jashtë. I kërkoi që të largoheshin. “Ida ka vdekur”, – u tha, “ndaj largohuni për të shmangur sherrin”, sepse nuk e di çfarë mund të ndodhte. Unë nuk mora vesh gjë, madje e pyeta përse i largoi gocat, sepse s’kisha gjë me to. Pastaj erdhi nusja e nipit edhe nisën të bënin punët. “Përse po bëni punë ju”, – i pyeta. “Mos bëni gjë”, – i thashë, “unë i kam bërë vete, do iki në spital”. Kur erdhi goca tjetër nga Shkodra, më tha që… “nuk di çfarë ka ndodhur nënë, e vrau…”

Çfarë kërkoni sot nga shteti?

“Drejtësi, dua jetën e fëmijëve të mi, më iku vajza… nuk më shpëtuan jetën e vajzës, të paktën të më shpëtojnë jetën e fëmijëve, nipin dhe mbesën.”

Përse, duan t’jua marrin?

“Ata kanë tentuar gjithë jetën t’i marrin fëmijët. Ata kanë tentuar me i marrë nga nëna e tyre, imagjinoni se ç’mund të ndodhë me mua. Kanë tentuar me ia marrë nënës, kjo ka qenë lufta. Për ata fëmijë e dha jetën. Kjo ka qenë e gjithë tentativa.”

Ju do i rrisni vetë?

“Po vetë, sa të jem unë gjallë. ”

U përfol për një çështje kredie? Është e vërtetë?

“Nuk është kredi, është overdraft, 320 mijë lekë të vjetra. Është marrë për hatër të Admir Dervishit vite më parë. Kishte bërë një vjedhje. Gocën e kishte instrumentuar sipas qejfit të vet. Nuk ia kishte treguar ngjarjen e vërtetë, por si kishte dashur vetë. Në atë kohë unë u diagnostikova me sëmundje në bark. Nuk kisha mundësi që të jepja lekë dhe mori vajza overdraft bashkë me Adin. Kjo ka ndodhur vite më parë dhe nuk kishte lidhje me këtë. ”

Kishin probleme ekonomike në atë kohë?

“Kishin probleme sepse e hoqi nga puna. Ida punonte dhe kalonte këtu përpara shtëpise time, në një fabrikë këpucësh këtu afër. Fakti që ajo kishte mundësinë që të kthehej këtu, ishte arsyeja pse e hoqi nga puna”.

Në vitin 2013, vajza juaj ka kërkuar 2 urdhëra – mbrotjeje dhe në një prej deklarimeve, Admiri deklaronte se problemi i vetëm, ishte nëna e paditëses, që Ida donte ta merrte në shtëpi dhe i kishte thënë se do të ndahej, nëse nuk e merrte.

“Absolutisht!!”

Ai thotë më tej: “

Unë i kam thënë se po qe për mamanë, unë nuk e dua në shtëpi. Le të ndahemi. Por nuk kam ushtruar dhunë dhe pranon se e ka qëlluar me pëllëmbë. Ndërsa vajza thotë se e ka dhunuar me grushta dhe shqelma në 2013 –ën dhe i ka vënë pistoletën e shërbimit në kokë, duke tentuar për ta vrarë. Kishim këto dy urdhëra – mbrojtje. Përse vajza juaj u rikthye me Admirin? Urdhëri i mbrojtjes kishte një efekt 1 – vjeçar dhe bënë edhe një fëmijë tjetër…

“E ka bërë ajo me dëshirën e vet? Se ai edhe ka përdhunuar, e kuptoni fjalën përdhunim? E ka përdhunuar, jashtë dëshirës së saj. Jo një herë, por me miliona herë. Është përdhunuar edhe në sy të djalit. Po të ketë ndonjë psikolog, ta marrë fëmijën dhe ta pyesë, ai të tregon.”

Përse u rikthye vajza?

“Frika nga vdekja.”

Kishte me çfarë të mbijetonte vajza?

“Mbijetonte me kotheren e tij dhe me çfarë i jepja unë. Goca ka mbijetuar nga veshmbathjet, por mbi të gjitha nga duart e mija, pensioni im, sepse unë kam punuar”.

Pra në 2013 – ën vajza ka qëndruar tek ju?

“Po, 8 muaj e kam mbajtur unë. Pastaj filloi punë.”

Përse u rikthye?

“I dilte përpara. “Po nuk u ktheve me mua do vras veten, do të vras dhe ty”, – thoshte, ndaj dhe u detyrua të rikthehej”.

Më pas kanë bërë jetë normale, kur kanë lindur fëmijën tjetër?

“Nuk ka pasur jetë normale, absolutisht”.

Po kur lindi vajza, si ishte sjellja e tij?

“E keqe. Është rrahur edhe kur ishte shtatzënë, është lënë pa bukë. Është rrahur, si kur ishte shtatzënë me fëmijën e parë, edhe me të dytin.”

Po pa bukë pse e linte?

“Sepse nuk donte t’i jepte bukë. E shante Idën gjithë kohës. “Leckë”! Çfarë nuk ka bërë…”

Po kjo pjesa e xhelozisë që u përfol ?

“Absolutisht, nuk është e vërtetë! Ai ka bërë veprime të këqija dhe goca nuk ka guxuar t’i thoshte. Ajo ia gjeti fotografinë në xhep dhe nuk guxoi t’i thoshte dot gjë.”

Dyqani po i ecte?

“Mirë kanë qenë me dyqanin. Aty punonte Ida. Ajo punonte kur ai ishte i pari, nga ora 7 deri në 3. Kur vinte ai, e merrte në dorë. Ndërsa kur ishte ai i dyti, punonte vetëm një gjysmë dite. Pastaj kur ishte ai turni i tretë, punonte gjithë ditën dhe të nesërmen ishte pushim, punonte dy – tre ditë në javë. ”

Vajza e vogël, sa muajshe është?

“10 muajshte. E ka lënë në gji. E ka lënë me qumësht gjiri. Tani që ka vdekur vajza ime, e ushqen vajza tjetër me gji. Doli goca sot dhe vajza vogël i thërriste: “Mama, mama…”, sepse nuk arrin ta dallojë, sepse ngjan me motrën. Goca pi gjumësht akoma, tashmë tek tezja…”

Kë fajësoni për gjithë këtë situatë?

“Personalisht, Admirin.”

gardisti

Po institucionet e tjera, i kanë mbrojtur në gjithë këto vite?

“Jo, nuk i kanë mbrojtur. Pse do thuash ti? Pse duhet të mbajë ai pistoletën në trup, kur ka gjithë këto denoncime? Kur mori urdhërin në 2013 –ën dhe ndenji 8 muaj këtu, e mori vajzën, e çoi në rajon që të bënte deklaratën dhe të nënshkruante. Shkoi dhe kur ngeli shtatzënë, ishte 5 muajshe shtatzënë. Kur e ka marrë, erdhi një letër nga hetuesia. Ky e kishte përgatitur që të tërhiqte denoncimin. Ajo nuk e tërhoqi dhe ka deklaruar se vazhdonte të dhunohej, njësoj si përpara.”

Çfarë ndodhi me çështjen penale?

“Prokurori shkruajti të gjitha fjalët. Të gjitha janë shkruar në praninë e psikologes. Pra në 2014 –ën, pasi ishte rikthyer. Datat nuk i saktësoj dot, por ajo ishte shtatzënë. Kur e ka marrë prokurori i ka thënë: “Zotëri, jeni dakord me çfarë thotë zonja në fjalë?” “Po”- është përgjigjur ky. “Jam dakord”. Atëherë prokurori i ka kërkuar ta firmosë. E ka firmosur dhe kur e ka bërë këtë i ka dhënë një kopje të letrave në dorë dhe i ka bërë një pyetje. “A keni motër ju?” “Kam -i ka thënë. “Po t’ia bënin këto që ti i ke bërë këtij njeriu, motrës tuaj, do ta pranonit?” “Nuk e bëj më”, – iu është përgjigj. “Jam penduar”.

Në këtë pikë, ka ndodhur diçka tjetër, për të cilën unë them Ida nuk është mbrojtur nga shteti. Ka ndodhur që, prokurori i ka thënë të marrë letrat dhe për dy javë do të thirreni në gjykatë.  “Ju uroj fat, sepse me këtë që keni bërë, ju nuk keni rrugë shpëtimi” dhe e ka këshilluar të marrë një avokat të mirë. Sesi ka vazhduar ngjarja, sesi vazhdoi gjyqi, nuk e di më se çfarë ndodhi”.

Letrën që thoni se i ka shkruajtur për lekët, e ka policia? Letrën që i kishte shkruar vajzës ku i thoshte se i kishte 100  mijë lekë borxh, e ka policia këtë letër?

“Jo s’ka gjë policia, këto i di unë.”

“Kam punuar gjithë jetën vetëm me nder, vetëm me nder i kam rritur ata fëmijë. Kam rritur 3 jetimë, s’më ka thënë njeri as “sy zezë, as sy bardhë”. Unë nuk e mbrojta dot, nuk arrita ta mbroja. Ju lutem më ndihmoni në çështjen e fëmijëve. Kam shpresë vetëm tek ju. Sepse, a u vra vajza…?

Ku është shteti?

Ku është ky shtet?

Në dorë të kujt i la këta dy fëmijë të vegjël?

Ata do të jetojnë me pension tim.” 

Spartak Koka/Edlira Kalaja