Qytetarët nuk ndihen më të sigurt pas sulmit rus

Sulmi rus shkaktoi eksod masiv të ukrainasve. Banorët e Kievit braktisën shtëpitë për t’u larguar nga kryeqyteti kur dëgjuan sirenat e luftës dhe shpërthimet e bombave ruse. Mijëra qytetarë morën automjetet dhe gjithçka mundën të grumbullonin nga shtëpitë e tyre, duke krijuar radhë të gjata dhe bllokim të qarkullimit rrugor në rrugët dalëse.

Të tjerë, duke tërhequr valixhet u dyndën në stacionet e autobusëve e trenave.

“Po ikim për në Çerkaz tek familjarët tanë për të qenë sëbashkë në këtë moment jo shumë të mirë për Ukrainën. Megjithatë, ne do fitojmë, kam besim”.

“Rusia nuk do t’a ndalë atë që nisi. Harrojeni vëllazërinë mes kombeve. Kjo është thikë pas shpine që e prisnim. Kështu do të shkojnë gjërat për disa kohë. Ata duan të na shkatërrojnë si komb, por ne nuk do t’i lejojmë”.

Shumë qytetarë u dyndën edhe nëpër bankomatë për të tërhequr para, nga frika e kolapsit të sistemit bankar. Dyndje pati edhe drejt kufirit polak.

“Në mes të natës u zgjuam sepse na lajmëruan për bomba. Bombat binin gjithandej edhe pse Ukraina perëndimore nuk supozohej se do të bombardohej apo jo?”

Bombardimet ruse detyruan autoritetet ukrainase të mbyllin hapësirën ajrore për fluturime civile, siç dallohet edhe në këtë hartë ku linjat ajrore kanë shmangur kalimin dhe uljet në Ukrainë.

Tv Klan