Rudina Hajdari dhe Baton Haxhiu patën replika mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, sa i përket listave të hapura. Argumentet e Hajdarit, Haxhiu i quajti idealizëm të një politikaneje të re dhe tha se e vërteta në Shqipëri nuk përkon fare me atë që thotë ajo. Në kundërpërgjigje, deputetja e opozitës parlamentare u shpreh se ajo përdor fakte dhe i kërkoi analistit që të mos përdorë eksperiencën e saj politike për t’i treguar nëse bën apo jo argumente. Hajdari tha se po luftonte për një betejë të drejtë, se kjo ishte një gjë që e bënte me ndershmëri.

Baton Haxhiu: Kur do të analizosh diçka duhet të dalësh nga ky narracion shkollar dhe të ballafaqohesh me të vërtetën shqiptare. Ajo që po thua ti është vetëm një idealizëm i një politikaneje të re, por e vërteta në Shqipëri nuk përkon fare me atë që thua. Është një dëshirë e mirë e jotja që njerëzit të zgjedhin me dëshirën e tyre atë që quhet deputet i ardhshëm i përfaqësuar, por mos harro që 25% e shqiptarëve janë të varfër. Dhe kjo dëshirë e jotja nuk shkon deri tek ata dhe ata nuk e zgjedhin njeriun që duan, por njeriun për të cilin shtyhen ta duan.

Rudina Hajdari: Fatkeqësi e madhe që keni kaq shumë besim tek një autokrat sesa tek qytetarët shqiptarë. Sepse ju keni më shumë besim tek këto parti politike që në fakt kanë modelin e një PPSH-je dhe kanë një Enver në krye. Çdolloj kryeministri që të jetë në atë pushtet do jetë i njëjtë, do jetë po ashtu autokratik dhe prandaj unë përdor fakte këtu dhe s’keni pse përdorni ju eksperiencën time politike për të më treguar mua se unë bëj argumente apo jo. Nëse doni vërtetë të më argumentoni me fakte, hajde flasim me fakte. Por unë po të them fakte që në 2008 në parlament kanë ardhur kriminelë, kanë ardhur njerëz që nuk kanë qenë të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe e kam thënë edhe në parlament. Ky vend meriton më shumë, ky vend ka njerëz të mirë, të ndershëm që punojnë nga mëngjesi në darkë. Njerëz që duan punë, arsim më të mirë, shkolla më të mira, edukim më të mirë, atëherë si ka mundësi që këta njerëz përfaqësohen nga këta deputetë të cilët nuk kanë lëvizur gishtin për të përgënjeshtruar jetën e qytetarëve në Shqipëri.

Baton Haxhiu: Prandaj ke dal aty edhe po mban ders politik. Je në fushatë, ta pranoj, por unë jam njeriu i gabuar për t’ia bërë këto. Ajo që dua të them unë është bëje këtë. E ke rastin që ta bësh partinë, të bindësh popullatën se të dy palët, të cilat kanë udhëhequr Shqipërinë e kanë bërë më të keqen e tyre, por nëse ti beson që narracioni yt, dëshira jote për të zgjedhur njerëz më të mirë, urdhëro bëje një listë edhe qarkulloni në të gjithë Shqipërinë. Nuk bëhen këto nga një narracion i zyrës apo një diskutim në parlament.

Rudina Hajdari: Prandaj thash partia bën ofertën e tyre politike dhe i bën kandidatët vet dhe zgjedh më të mirën e mundshme. Besoj se çdo parti e ka në dorë këtë gjë, më vonë do të lihen qytetarët të zgjedhin ata njerëz që mendojnë se ja vlejnë për të shkuar në parlament.

Baton Haxhiu: 26% në Shqipëri janë të majtë dhe diku 16% janë të djathtë, vetëm katër vite më vonë shifrat kanë qenë tërësisht ndryshe. Për katër vite qendra ka fituar 38% dhe ata nuk kanë përfaqësim. Nëse ti je e gatshme t’i përfaqësosh ata në qendër që kanë ikur nga e majta dhe e djathta dhe t’ju tregosh qytetarëve të Shqipërisë se ti je ajo, urdhëro bëje.

Rudina Hajdari: Unë këtë po bëj, po formoj një gjë të re, po luftoj për një betejë të drejtë, po ju them juve që unë e kam koalicionin me qytetarët shqiptarë dhe jo me këto parti politike të vjetra. Këto po them, kjo nuk është fushatë, kjo është një gjë që e bëj me ndershmëri dhe vërtetë e mendoj që ky vend meriton më shumë.

Baton Haxhiu: Të kisha thënë vetëm diçka të fundit, mos i hap listat se do zhgënjehesh. Priji listës, vendosi deputetët dhe shëtit me ta në secilën qendër të Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Pra trembu nga vota e lirë, vota e hapur!/tvklan.al