Sokolaj: Fenomen i rrezikshëm me ushqimet, duhet kontrollë ndaj subjekteve

Emisioni Stop në Tv Klan denoncoi subjektin “Saranda Al” që tregtonte dhe shiste produkte bulmeti dhe vaj jashtë standardeve dhe me etiketa të falsifikuara. Për ekspertët ky është një fenomen skandaloz dhe i rrezikshëm që ndodh me produktet në vend.

“Situata nuk është aspak e mirë, siç është transmetuar edhe së fundmi në emisione televizive apo siç e shohim çdo ditë. Ka një problematikë në të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore dhe shkaku kryesor është mungesa e kontrollove. Problematika janë subjektet e vogla tregtuese dhe prodhuese, veçanërisht ato që prodhojnë produkte me origjinë shtazore, siç është rasti i djathit, kaçkavallit të transmetuar së fundmi në Stop.”

Vetë qytetarët thonë për Klan News se kanë shumë frikë nga produktet e bulmetit dhe mishit, pasi shpesh etiketat e skadences manipulohen.

“Skadencën e vëjnë gabim. Produktet e sallamit shembull, thotë që skadon pas 1 jave, kur hap qesen është e prishur komplet.”

“Një djath kaçkavall që me erdhi erë, kur shkova në shtëpi e konstatova dhe e ktheva”

“Mundohemi të zgjedhim gjërat duket dëgjuar që ka shumë abuzime. Blejmë aty ku na leverdis”

“Ke frikë të blesh, se di ku të blesh”

“Nuk ka shumë besim, vetëm fruta dhe perime që nuk i gjen gjë, ushqimoret lëjnë për të dëshiruar. E kam kthyer djathin se e kanë shitur jashtë datës së skadencës.”

Ekspertët u bëjnë apel autoriteteve përgjegjëse që të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve.

“Duhet të marrin masa urgjente për etiketimin dhe duke etiketuar gjejnë edhe gjurmueshmërinë e tyre. Sigurisht apeli për konsumatorin është për produktet në markete dhe tu drejtohen marketeve ku ka një normë më të lartë kontrolli, në masë më të madhe nga vetë subjektet tregtuese.”

STOP në TV Klan ka ngritur shpesh shqetësimin për produktet shtazore që u ndryshohet data e skadencës apo nuk ruhen në kushtet e duhura, siç ishte dhe rasti i kompanisë “Saranda Al”, administratori i se cilës la qelinë pas kërkesës sklandaloze të Prokurorisë.

Klan News