Grupi i ekspertëve të shëndetësisë në Partinë Demokratike në një deklaratë lëshuar për mediat shprehet se qeveria nuk ka një strategji të qartë dhe plan masash transparente për procesin e hapjes. Ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të marrë parasysh propozimin e opozitës për rrugën drejt hapjes.

Sipas ekspertëve të opozitës, ka ende një konfuzion për testimet imunologjike, pasi po tentohet që të realizohen vetëm në QSUT edhe pse kapacitetet për ekzaminime të tilla i kanë shumë laboratorë ne vend.

Një tjetër problem sipas tyre është edhe mungesa e testimeve, pasi rrezikohet i gjithë procesi i hapjes. Në total janë 5 pika, që janë prezantuar edhe nga kreu i demokratëve Lulzim Basha.

“1. Rritje të numrit të testimeve: test, test, test, identifikim, izolim e mjekim të çdo rasti. Kërkim të gjerë virusologjik e depistim imunologjik, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet laboratorike, me rimbursim për qytetarët. Ndërkaq duhet përgatitur dhe për aplikimin e ekzaminimeve virusologjike mobile e të shpejta.

2. Pajisja masive gratis me maska të qytetareve, për të mundësuar mbajtjen e tyre në ambjentet publik duke i paraprirë kështu “hapjes”. Aktivizimi i plotë i mjekut të familjes, duke siguruar më parë mbrojtjen, pajisjen profesionale e logjistike të tij me instruktim të qartë.

3. Konsolidimin e strukturave mjekuese në nivel vendi, për t’i bërë ballë një rishpërthimi të mundshëm të ri gjatë procesit të “hapjes”, ashtu si po veprohet në vendet e tjera, duke mos ngelur sërish të papërgatitur për të nesërmen

4. Nga ana organizative të kalohet në një proces decentralizimi, duke deleguar kompetenca ne nivelet e 12 qarqeve, që nga ana e tyre duhet t’i shpërndajnë më poshtë, për të shfrytëzuar kështu të gjitha kapacitetet dhe arritur të shkohet në çdo banesë e kontaktuar çdo individ.

5. Rritje e menjëhershme e buxhetit nga Qeveria në mbështetje të këtyre masave të domosdoshme dhe shumë të vonuara”.

Ekspertët i bëjnë thirrje qeverisë që të implementojnë propozimet e PD-së, ndërsa shtojnë se shëndetësia është në një situatë të rëndë për shkak të abuzimit, vjedhjes dhe paaftësisë për të menaxhuar sistemin dhe financat publike.

Ndër të tjera, në deklaratë falenderohet SHBA-ja dhe BE-ja për mbështetjen.

“Duke falenderuar edhe një herë për mbështetjen SHBA dhe BE që edhe në përgjigje të thirrjeve të opozitës për ndihmë për të rritur tëstimet në vendin tonë, ne jemi shumë të shqetësuar që:

testimet realizohen në vetem ne nje laborator hermetik, pa asnjë mundësi për check tjeter dhe depistim të gjerë të popullsisë, kur në Shqipëri gjenden edhe së paku 10 qendra të tjera që mund ta realizojnë këtë”./tvklan.al