Zinxhiri i hallkave për të patur një mish të sigurt në vendin tonë nuk funksionon.

Eksperti i sigurisë ushqimore Dritan Laçi, shprehet se ekzistojnë shumë probleme të cilat vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve. Shqetësimet fillojnë që nga matrikullimi dhe identifikimi i kafshëve, deri te transporti i tyre në thertore, apo dhe procesi i therjes dhe magazinimit të mishit.

Respektimi i këtyre hallkave, duke përfshirë dhe kohën e magazinimit të mishit në ambiente frigoriferike është parësor për të patur një mish sa më të sigurt dhe cilësor.

“Magazinimi në ambiente frigoriferike menjëherë pas therjes është i nevojshëm për të patur cilësi

të mirë të mishit. Më pas ai duhet lënë 24-48 orë para se të shitet”.

Një tjetër shqetësim për të është mostrajtimi i mbetjeve që vijnë nga therja e kafshëve. Shpesh herë, sipas tij, ato hidhen nëpër lumenj, duke u bërë burim infeksionesh dhe sëmundjesh për qytetarët.

“Mbetjet që vijnë si pasojë e therjes së kafshëve nuk u bëhet asnjë lloj trajtimi. Në këtë pjesë jemi në nivelin zero. Mbetjet hidhen nëpër përrenj apo lumenj. duke u bërë burim infeksionesh dhe sëmundjesh”.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi paralajmëroi nisjen e kontrolleve në çdo thertore, duke paralajmëruar mbylljen e tyre që nuk plotësojnë standardet.

KLAN PLUS