“OBSH duhet të ndryshoje rekomandimet”

Një grup prej 239 ekspertësh të viruseve nga e gjithë bota i bëjnë thirrje OBSH-së të ndryshojë rekomandimet për mbrojtjen nga infektimi me koronavirus.

Ata thonë se Covid-19, përveç teshtimës dhe kollës, përhapet edhe nëpërmjet frymënxjerrjes dhe të folurës nga personat e infektuar.

Ekspertët shprehen se spërklat e përhapura nga të infektuarit qëndrojnë për një kohë të gjatë në ajër. Rreziku është jashtëzakonisht i lartë veçanërisht në ambiente të mbyllura, ku nuk ka sistem të mirë ajrosjeje.

Në këto ambiente, mjekët rekomandojnë mbajtjen e domosdoshme të maskës, edhe në rastet kur distancimi social është i mundur. Mos zbatimi i këtyre masave, sipas tyre ka ndikuar në shtimin e dytë të ritmeve të përhapjes.

Propozimet e tyre i kanë përmbledhur në një letër të bërë publike në revistën për sëmundjet infektive të universitetit të Oksfordit.

Aktualisht, në rekomandimet e OBSH-së thuhet se COVID-19 përhapet vetëm me teshtimë dhe kollë dhe se spërklat me përmbajtje virusi bien menjëherë në tokë dhe nuk qëndrojnë gjatë në ajër.

Mbajtja e maskave rekomandohet vetëm në ambiente të mbipopulluara, aty ku është e pamundur ruajtja e distancës sociale.

Tv Klan