“Me të rrezikshëm duken variant brazilian dhe ai jugafrikan”

Vaksinimi anti-Covid solli shpresa se fundit i pandemisë do të ishte i afërt. Por qarkullimi i mutacioneve si ai afrikano-jugor apo brazilian po shton gjithnjë e më shumë frikën mes ekspertëve se koronavirusi do të vazhdojë të shkaktojë sëmundje dhe vdekje edhe përgjatë viteve të ardhshme.

Një ndër ta është edhe Chris Murray, profesor për sëmundjet infektive në Universitetin e Uashingtonit, i cili për agjencinë e lajmeve Reuters shprehet se “nuk e zë gjumi” nga të dhënat e frikshme që po shfaq sidomos mutacioni afrikan.

Sipas tij, testet e vaksinave që po kryen në Afrikën e Jugut kanë treguar se mutacioni që po përhapet me shpejtësi në këtë vend jo vetëm që ul shifrat e efektshmërisë së vaksinave aktuale, por mund të kapërcejë edhe imunitetin e krijuar në mënyrë natyrore tek njerëzit që e kanë kaluar një herë infektimin, duke shtuar rrezikun e një infeksioni të dytë.

Bazuar tek të dhënat, Murray thotë se edhe nëse arrihet imuniteti i tufës me vaksinimin e 65% të popullsisë, dominimi i variantit afrikano-jugor apo brazilian dhe përhapja e tyre e shpejtë mund të bëjë që dimrin e ardhshëm mund të ketë deri 200 mijë vdekje shtesë nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara.

Koronavirusi mund të vazhdojë të qarkullojë ashtu si gripi ndoshta përgjithmonë me një nivel të lartë vdekshmërie. Ndaj ekspertët thonë se është ende herët të flitet për heqjen e maskave dhe distancës sociale si rregull kundër përhapjes edhe pas vaksinimit masiv.

Tv Klan