Deri më tani nuk është raportuar asnjë vdekje ose rast i rëndë lidhur me mutacionin e ri

Sipas ekspertëve europianë dhe afrikano-jugorë pacientët me Covid-19 të infektuar me variantin Omicron deri më tani kanë shfaqur vetëm simptoma të lehta.

Të gjithë pacientët me Omicron në Europë kanë shfaqur vetëm simptoma të lehta ose kanë qenë  asimptomatikë. Sipas drejtoreshës së Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Andrea Ammon, nuk janë raportuar raste të rënda apo fatalitete lidhur me variantin e ri.

Ende mbetet e paqartë nëse varianti i ri do të shmangë mbrojtjen e siguruar nga vaksinat italiane.

Sipas ekspertëve mjekësorë të Afrikës së Jugut  ndër simptomat e shfaqura tek pacientët e infektuar me mutacionin janë kollë, ethe dhe dhimbje gjymtyrësh.  Ekspertët theksojnë se varianti i ri duhet vëzhguar dhe është ende herët për të nxjerrë përfundime.

Deri më tani janë regjistruar  42 raste me variantin Omicron dhe dyshohet për 6 raste në disa shtete anëtare të Bashkimit Europian. Shumica e pacientëve të infektuar kanë një histori udhëtimi me disa vende të Afrikës Jugore.

Klan News