Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi këtë të mërkurë lënien në fuqi të masave aktuale edhe për dy javë të tjera. Ekspertët vlerësuan se këto masa kanë dhënë rezultate pozitive, megjithatë ata apeluan që masat të vijojnë të zbatohen.

Në veçanti, Komiteti shprehu shqetësim për grumbullimet gjatë fushatës elektorale. Mira Rakacolli, teksa rikujtoi se nuk lejohen grumbullimi i më shumë se 10 personave, paralajmëroi se shkelja e kësaj mase do të sjellë rritje të numrit të infektimeve dhe të humbjes së jetëve.

“Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për të mos lejuar grumbullime më tepër sesa 10 veta. Të gjitha këto vendime do të rishikohen pas 2 javësh, pra për 2 javë propozohen që të mbeten në fuqi. Komiteti i Ekspertëve është mjaft i shqetësuar për shkak të faktit në fushatë elektorale disa subjekte politike po zhvillojnë grumbullime krejtësisht jashtë të gjitha kritereve të rekomanduara. Pra po bëhen grumbullime të mëdha dhe pa i zbatuar rregullat e propozuara nga Komiteti i Ekspertëve. Padyshim jemi shumë të shqetësuar sepse padyshim grumbullimet e vërejtura nga disa subjekte politike patjetër që do të çojnë në një rritje të numrit të të infektuarve në të ardhmen dhe ajo që çka është me e keqja, patjetër që do të çojnë në një rritje të numrit të humbjeve të jetës”.

Ndaj Rakacolli kishte një apel drejtuar subjekteve politike.

“Prandaj ekspertët e ngrenë me forcë këtë problem. U bëjnë një apel të gjitha subjekteve politike që takimet e tyre elektorale t’i zhvillojnë në përputhje me rregullat që përmenden. Pra në mos lejimin e grumbullimeve të mëdha, në mbajtjen e distancën fizike, në mbajtjen e maskës dhe të gjitha masave të tjera që tashmë janë bërë të qarta. Vetëm kështu do mundemi do mundemi që ne të vazhdojmë ta kontrollojmë situatën dhe që këto grumbullime të mos bëhen shkak i një ndërlikimi dhe sigurisht të mos bëhen shkak për humbje të mëtejshme jete”./tvklan.al