“Koha që të tatohen të pasurit e jo shtresa e mesme

Ekspertët e shohin si një nismë të mirë shtimin e fondeve për investime publike në buxhetin e vitit të ardhshëm, por një pjesë e mirë e tyre për profesorin e ekonomisë Selami Xhepa mbështet me borxh, çka përmban risqe të shtuara sidomos në një situatë të pasigurtë si ajo e pandemisë.

“Financimi nëpërmjet deficitit dhe për pasojë borxhi publik pritet që të zgjerohet në mënyrë të ndjeshme duke shtuar rreziqe serioze për stabilitetin e financave publike në vitet e ardhshme”.  

Eduart Gjokutaj, ekspert i çështjeve fiskale, shprehet se nga pikëpamja e mbledhjes së ta ardhurave tatimore, ato rezultojnë në nivele të barabarta me vitin 2019. Optimizmi për rritjen e tyre mund të sjellë rishikim të buxhetit me ulje vitin e ardhshëm.

“Ka një parashikim shumë optimist për mendimin tim me 5.5% rritje që do të thotë një sektor ekonomie i dominuar nga shërbimet dhe tregtia në masën 70% të ekonomisë dhe i cili është i ndikuar direkt për shkak të distancimit fizik”.

Sa i përket nivelit të shpenzimeve, Xhepa shprehet se qeveria duhet të kishte një buxhet më të madh rezervë për menaxhimin e situatës së Covid, një mësim që duhet të ishte nxjerrë pas goditjes së tërmetit dhe pandemisë.

“Të papriturat që mund të kenë ndodhur kanë detyruar rialokime buxhetore, pra qeveria dhe parlamenti kanë rishikuar edhe një herë buxhetin”.

Pritshmëria në rritje e të ardhurave në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale për Gjokutaj, po bëhet në kurriz të shtresës së mesme, ndërsa tashmë ka ardhur koha të tatohen të pasurit.

“Këtë barrë fiskale, këto të ardhura mbi kë shtresë do të punësohen. Pse jo barrën ta mbajë tashmë ai që ka grumbulluar tashmë një pasuri mirëqenie sepse nuk ka çfarë t’ju merret shtresave të mesme duhet t’iu merret atyre që kanë përfituar”.  

Buxheti i vitit të ardhshëm është në vlerën e 5.87 miliard dollarëve, ku parashikohet një nivel të ardhurash prej 4.79 miliard, ndërsa deficiti arrin në 1.08 miliard dollarë.

Tv Klan