Kreu i Akademisë së Shkencave Ruse (RAS) beson se muaji Mars mund të na gjejë përballë një epidemie globale, nëse koronavirusi i ri kinez vijon të përhapet me ritmet aktuale.

“Sëmundja është mjaft e rrezikshme dhe numri i rasteve po rritet në mënyrë eksponenciale. Nëse vijon edhe për një muaj tjetër, mund të kthehet në një epidemi globale”, tha për gazetarët të hënën, Aleksandr Sergeev. Në këndvështrimin e tij, Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të bëjë më shumë.

Nga ana tjetër, janë rreth 30 medikamente që mund të trajtojnë infeksionin. Të paktën kështu shprehet ish-inspektori rus i shëndetit, Dr Gennady Onishchenko.

“Në mënyrë që t’i sigurojmë të gjithë: Janë rreth 30 ilaçe që ekzistojnë sot dhe përdoren, që mund të funksionojnë kundër virusit. 12 prej tyre janë ato që përdoren gjithashtu për të trajtuar infeksionin e HIV”, tha Onishchenko.

Sipas autoriteteve ruse, deri më tani në këtë vend nuk është raportuar asnjë rast të personave të prekur nga koronavirusi.

Megjithatë zonat të cilat kufizohen me Kinën janë vënë në gjendje alarmi dhe banorëve u është kërkuar që të mos udhëtojnë drejt këtij shteti.

Deri më tani, numri i të vdekurve nga koronavirusi ka shkuar në 106, ndërsa ai i të prekurve në 4 500./tvklan.al