Pas alarmit të ngritur nga bluzat e bardha, për shtim të numrit të rasteve me kancer në mushkri, specialistët e mjedisit kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme. Vëmendja, sipas tyre, duhet përqëndruar te cilësia e karburantëve, përmirësimi i transportit publik për të rritur cilësinë e ajrit.

“Arsyeja është shtimi i automjeteve individuale, por edhe cilësia e karburanteve ka bërë që të rritet ndotja, dhe ajo mund të rregullohet duke shtuar transportin publik dhe përmirësuar cilësine e karburantëve. Të futen linja elektrike. Përveç transportit është ndotja industriale, në Elbasan ka kompani të mëdha. Duhet të vendosen filtra të bëhet edhe kontrolli, të zbatohen standardet shtetërore”

, shprehet specialisti Ahmet Mehmeti.

Edhe një pjesë e institucioneve thonë se po punojnë për të ulur ndotjen e ajrit. Në Bashkinë e Tiranës kanë në fokus shtimin e automjeteve elektrike dhe hapësirave të gjelbra.

“Është provuar që në ditët kur nuk përdoren automjetet, norma e ndotjes ishte mjaft e ulët, madje edhe më e ulët se norma e BE. Mbjellja e pemëve ul ndotjen e ajrit. Testimi i autobusit elektrik dhe taksitë elektrike po mendohen për të përmirësuar cilësinë e ajrit”

, thotë Diana Mile, drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës.

Grimcat e pluhurit, të shkatuar nga emetime i gazrave, për shkak të diametrit të tyre depërtojnë thellë në rrugët e frymëmarrjes, madje deri në gjak duke u bërë shkaktar i sëmundjeve pulmonare. Në vendin tonë janë në qarkullim 557 mijë automjete, nga këto vetëm në qarkun e Tiranës janë 205 mijë, ndërsa në Elbasan 36950 automjete.

Tv Klan