“Policia duhet ta monitorojë vazhdimisht për të ndëshkuar shkelësit”

Një ditë pas aksidentit tragjik në rrugën “Xhanfize Keko” ku humbën jetën 2 këmbësorë, kemi ardhur së bashku me ekspertin e sigurisë rrugore Fatmir Hashon për të parë nëse kjo rrugë paraqet probleme.

Sipas Hashos, sinjalistika në këtë segment rrugor është e paplotë dhe nuk i orienton qartë drejtuesit e automjeteve që të kalojnë pa rrezikuar.

Fatmir Hasho: Mjetet marrin një lloj shpejtësie dhe nuk arrijnë përmes sinjalistikës së vendosur ta rregullojnë sepse mungon sinjalistika që njofton se ka një rrugë që kalon majtas. Ketu vija duhet të ishte e pandërprerë, pra të ndalonte mjetet të kalonin nga njëra korsi në tjetrën dhe andej të rrinin vetëm mjetet që do të ktheheshin majtas, të kishte një shigjetë në rrugë që tregon se kthimi është majtas. Të lajmërohet në krahun që vjen me tabelë që kemi devijim rruge.  

Këshillon që edhe drejtuesit që vijnë nga Kodra e Priftit të respektojne sinjalistiken.

Asnjë nga makinat që vijnë nga rruga anësore nuk ndalon sipas sinjalistikës horizontale të vendosur, por duhet thënë që mungon edhe sinjalistika horizontale, pra vija e ndalimit të mjeteve. Të gjitha ndalojnë ose mbi vijat e këmbësorëve ose dalin 1 metër në korsinë që vjen nga poshtë.”

Teksa ekipi i Tv Klan xhironte, për pak sa nuk ndodhi një aksident.

Po për ekspertin e sigurisë rrugore e gjithë rruga e porcelanit ka nevojë për një rimatje të trafikut. Pas rikontruksionit, kjo rrugë ndahet në 3 korsi, 2 në drejtim të qendrës e 1 drejt Kinostudios. Ky vijëzim i ri jo vetëm ka rritur paqartësinë tek drejtuesit e automjeteve, por sipas ekspertit ka disa probleme.

Fatmir Hasho: Vendqëndrimet e autobusëve nuk janë bërë të mjaftueshme ku autobusi të futet lirshëm, gomat e tyre duan s’duan marrin nga korsia e automjeteve. Në rastin kur s’ka xhepa nuk diskutohet që është gabim Autobuzi nuk duhet asnjëherë të zënë korsinë e lëvizjes së automjeteve se nuk ka asnjë llogjikë që mjetet të presin në radhë sa të zbresin e ngjiten njerëzit. Mjetet janë të detyruara të prekin korsinë tjetër, të cilën e kanë rreptësisht të ndaluar.

Edhe makinat që ndalojnë anash rrugës janë një burim trafiku e rreziku për aksidente.

 “Në këtë rast puna e policisë rrugore dhe e policisë bashkiake duhet të jetë e vazhdueshme, sidomos në këto akse ku ka levizje të shtuar mjetesh, asnjë sekondë nuk duhet të ndalojnë”.

Problem është edhe shpeshtësia e vijave të bardha.

 “T’i shkurtojmë pak sepse për drejtuesit e automjeteve është stres më vete, që kur ti sapo merr gaz për të levizur të del përpara një vendkalim i ri këmbësorësh, ku je i detyruar të ndalosh.”

E kontaktuar nga Tv Klan policia e shtetit shprehet se rruga e Porcelanit po monitorohet vazhdimisht duke vepruar përmes paralajmërimeve dhe gjobave për drejtuesit që thyejnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Për tabelat paralajmëruese të tabelave të këmbësorëve duhet të kishte tabela që lajmërojnë vendkalimet e këmbësoreve.

TvKlan