Zjarret po ndikojnë drejtpërsëdrejti në fenomenin e përmbytjeve. Ekspertët e Emergjencave Civile thonë se zonat të cilat po përfshihen nga përmbytjet janë ato që kanë regjistruar edhe më shumë raste me zjarre, pasi kanë djegur mbulesën bimore dhe përshpejtuar erozionin e vërshimin e ujërave.

“Rreziku për përmbytje në Shqipëri është i pranishëm, është evident dhe kryesisht gjatë stinës së dimrit dhe pranverës. Në bazë të statistikave që në disponojmë, situata e zjarreve në Shqipëri dhe situata e përmbytjeve kanë një lidhje me njëra-tjetrën. Në këto bashki dhe prefektura që ka patur zjarre edhe këtë vit edhe vitin e shkuar, janë zonat që kanë përmbytje”, tha Leonard Qyno, drejtor i Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente.

Përmbytjet nga shirat janë më të rrezikshëm pasi nuk të lë hapësirë për të mbrojtur pronën dhe jetën.

“Zjarret dëmtojnë bimësinë, prishin erozionin e tokës dhe kjo ndikon në përmbytje pasi bimësia nuk e pengon shiun që bie një sasi reshjesh në kohë shumë të shpejtë, e cila shkakton përmbytje. Sigurisht që përmbytjet nga shirat janë edhe më të rrezikshëm pasi janë të paparashikueshëm dhe nuk bën të mundur paralajmërimin për të marrë masa dhe për të shmangur dëmtimin e pronës dhe jetën”.

Përmbytjet janë rreziku më i zakonshëm dhe më i dëmshëm klimatik në Shqipëri. Një studim i fundit që tregon rrezikun e ngjarjeve ekstreme në të ardhmen parashikon se Shqipëria do të preket shumë nga ngjarje të tilla, kryesisht përmbytje  në krahasim me vendet e tjera të Evropës dhe Azisë Qendrore.

Tv Klan