Intervistë me Arsild Latifin, ekspert i shkencave kompjuterike

Përse zgjodhët shkencat kompjuterike, cilat ishin nxitjet apo çfarë u bë shkas të shkonit në këtë drejtim?

Shkencat kompjuterike janë një degë shumë e gjerë, në të cilën ka sigurisht një profil ku mund ta gjesh veten. Është një nga shkencat, që avancon me ritme shumë të shpejta dhe e pranishme praktikisht në çdo fushë të jetës. Në mijëvjeçarin që jetojmë, individët kërkues tek vetvetja, kanë hapësira të pamata për ta zhvilluar veten në këtë fushë, ashtu siç kishin 100 vite me parë në fizikë, kimi apo matematikë shkencëtarët e fillim shekullit të kaluar. Kjo ishte përgjithësisht nxitja ime për t’u orientuar në këtë fushë dhe për t’u thelluar gjatë studimeve të mia universitare.

Cili është gjykimi juaj për nivelin e njohjes që kanë përgjithësisht të rinjtë për avantazhet që jep kjo fushë, pra shkencat kompjuterike, si në aspektin e punësimit, ashtu edhe në aspekte të tjera që lidhen me pasionin apo egon e secilit, pra programim, zhvillim programesh, sistemesh etj.?

Mendoj se është një degë në të cilën ka vend për të gjithë. IT është e pranishme në mjekësi, ndërtim, industritë e rënda. Kjo do të thotë që një IT mund të punojë atje ku e gjen veten më mirë. Secili prej nesh, i diplomuar në IT, shkenca kompjuterike apo teknologji informacioni, mund të profilizohet në secilën prej degëve të industrisë, duke përshtatur në praktikë njohuritë teorike të marra gjatë studimeve. Punësimi i një të diplomuari në IT është gjithmonë e më tepër çështje zgjedhjeje dhe jo zgjidhjeje. Pra, kërkesa për elementë të diplomuar në këtë fushë vijon e rritet dhe niveli i shpërblimeve dhe pagave në sektorë të ndryshëm, dikton natyrisht edhe profilizimin e të sapo diplomuarve. Sot, gjithnjë e më tepër, çdo sipërmarrje e ka kuptuar rolin dhe rëndësinë e IT në zhvillimin e biznesit, ndaj IT është bërë pjesë integrale e çdo biznesi, duke filluar nga më i vogli, deri tek korporatat e mëdha.

Ju njiheni për një pasion të thelluar në çështje të rrjetit dhe megjithëse aktualisht jeni i punësuar në një kompani ndërkombëtare si IT, a mund të na thoni nëse keni ndonjë projekt, që mund të jetë njëherësh sfidë edhe për juve, edhe për kolegët tuaj në këtë fushë?

Prej vitit 2015, jam pjesë e “Durrës Container Terminal”, shoqëri koncesionare e terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit, shoqëri në të cilën kam patur mundësi të zhvilloj dhe aplikoj njohuritë e mia. Konkretisht në këtë kompani kemi aplikuar dixhitalizimin total të operacioneve të përpunimit në terminalin e kontejnerëve. Aktualisht çdo proces pune është i dixhitalizuar dhe monitorohet si proces nëpërmjet ëeb apo mobile. Të gjitha proceset duke filluar nga planifikimi i terminalit, planifikimi i ngarkimit, shkarkimit dhe depozitimit në vendin e duhur të çdo kontejneri janë automatike.

Përveç shkencave kompjuterike, në CV tuaj shënohet edhe fakti që keni një ekspertizë edhe për çështje të së famshmes ‘Bitcoin’. A mund të na shpjegoni në terma të thjeshtë, ç‘ju shtyu të hyni në këtë botë që lidhet me financën e lartë, internet banking etj.?

‘Bitcoin’ apo monedhat e tjera virtuale bazohen në një teknologji te re, të cilën bota po e njeh vetëm vitet e fundit, blockchain, teknologji e cila, akoma kontrollohet nga shumë pak individë, por shumë shpejt do të zhvillohet në masë.

Personalisht mendoj se ‘Bitcoin’ dhe monedhat dixhitale në përgjithësi janë një revolucion dhe, si çdo revolucion i ndodhur në historinë e njerëzimit, do kërkojnë kohën e vet, kanë risqet e veta, kanë dëme apo pasoja për një palë dhe fitim për një palë tjetër.

Aktualisht, Bitcoin është shumë më i sigurt se shumë prej mënyrave të tjera të pagesave online, përfshirë ‘Paypal’ apo forma të tjera. Por mbeten akoma dyshimet dhe ka mosbesim nga fakti që Bitcoin vijon të jetë i kontrolluar nga individë privatë apo nga organizma shtetërorë dhe ndërkombëtare. A do të rregullohet në çdo shtet apo ndërkombëtarisht me ligje dhe rregulla të qarta – kjo është çështja. Deri në atë kohë, luhatjet në vlerën e saj në treg janë normale dhe çdo investitor merr parasysh riskun. Kundrejt riskut të marrë, natyrisht priten edhe fitimet e duhura. Veçori e ‘Bitcoin’ është fakti që aktualisht është monedhë lehtësisht e tregtueshme, duke e bërë këmbyeshmërinë e saj në para fizike apo mall, një nga vlerat më të mëdha të saj.

Cila është prognoza juaj për të ardhmen e Bitcoin, dhe cilat janë sfidat e saj si konceptim i ri i monetarizimit të aseteve dhe të mirave? Së dyti, konkretisht, për vitin 2020, a mendoni se do të kemi një rritje të vlerës së saj?

Mendoj se çmimi do të rritet, por si çdo koncept monetarizimi, edhe Bitcoin ka konkurrentët e vet, pavarësisht se Bitcoin është lideri i ‘crypto monedhave’. Kjo do të thotë pak a shumë se nëse Bitcoin rritet, të gjitha monedhat e tjera rriten, nëse Bitcoin bie, të gjitha bien. Mendoj se në gjysmën e dytë të vitin 2020, Bitcoin do e kalojë vlerën e 15.000 eurove. Pra nëse dikush ka dëshirë dhe mundësi financiare për të investuar në afatin e gjatë, Bitcoin është një nga mënyrat më të mira për të investuar, natyrisht, duke pritur kohën e duhur, për t’i këmbyer në momentin e duhur./tvklan.al