Që Shqipëria të plotësojë planin e angazhuar nga qeveria për të arritur standardet e sigurisë rrugore dhe mirëmbajtjes së tyre duhet të buxhetojë për këtë qëllim 65.9 milion euro.

Vlerën e zbulon një raport i auditit financiar i kompanisë Grant Thorton, e cila ka ushtruar një kontroll mbi projektin e financuar nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim “Mirëmbajtja e Rrugëve dhe Siguria”.

Raporti është dorëzuar në Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe është pranuar edhe nga ana e institucioneve shqiptare. Në fillim eksperti bën të qartë që nuk ka kontrolluar mënyrën se si janë bërë shpenzimet apo të ketë pasur si qëllim matjen e mekanizmave të kontrollit nga ana e kontraktorit, në këtë rast ARRSH, por thotë se gjatë rrugës ka konstatuar disa parregullsi.

Procedurat e auditit kanë identifikuar disa çështje që lidhen me kontrollin e brendshëm dhe që ne i kemi identifikuar si mangësi të sistemit të kontrollit, këto mangësi mund të jenë edhe në çështje të cilat mund të na bëjnë të ndryshojmë qëndrim lidhur me opinionin që kemi dhënë deri tani me zbatimin e këtij projekti.

Për periudhën 10 prill 2015-të dhe deri në fund të vitit 2016, eksperti financiar ka evidentuar që për sigurinë dhe mirëmbajtjen rrugore nga ky projekt janë shpenzuar 8.5 milion euro.

Tv Klan