Në një lidhje në Skype, për programin “Historia ime”, në TV Klan ishte eksperti i turizmit, Zak Topuzi. Ai u shpreh se nga situata e krijuar në gjithë botën, sektori i turizmit është ai më i prekuri.

Zak Topuzi: Bota po përballet me një problem në disa fronte, që nuk ka ndodhur ndonjëherë me periudha të gjata. Sektori i udhëtimit dhe i turzimit është më i ekspozuari dhe është ndoshta sektori më unikal, që e ka kapur kjo krizë. E themi qartë që turizmi është në kushtet e mbijetesës, janë gati 50 milionë ndërmarrje në gjithë botën dhe 350 mijë familje apo vende pune, që mbahen me turizmin. Janë mbyllur pothuajse të gjitha llojet e udhëtimeve, janë mbyllur restorantet dhe baret dhe praktikisht sektori i hotelerisë dhe udhëtimeve, turizmit është pothuajse i mbyllur. Të gjitha vendet e botës janë përballur me këto probleme dhe secili është munduar të ndërmarri masat e nevojshme për ta shpëtuar këtë sektor.

Deri në muajin Qershor janë mbyllur të gjitha prenotimet, të gjitha kontratat dhe sipas Organizatës Botërore të Turizmit, situata për turizmin është alarmante dhe duhen marrë masa urgjente për ta shpëtuar.

Zak Topuzi: Deri në Qershor janë anuluar të gjitha prenotimet, të gjitha kontratat dhe nuk bëhet fjalë për këtë periudhë. Mbas kësaj periudhe, sigurisht që turizmi është i fundit që do fillojë të lëvizi, pasi nga kjo krizë njerëzit do dalin pa të ardhura, me pushime të mbaruara dhe sigurisht që problemi do jetë më madhor në sektorin e turizmit. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit është alarmante, domethënë është faza ku kjo industri ka kaluar në kolaps dhe duhen në mënyrë urgjente të merren masa për ta shpëtuar. /tvklan.al