Greqia ka kërkuar

nga Gjermania reparacione për dëmet e Luftës së Dytë Botërore. Qeveria gjermane

e ka refuzuar këtë kërkesë. Por një ekspertizë e Parlamentit Gjerman e vë në

dyshim këtë refuzim.

80 vjet pas

shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, çështja e dëmshpërblimeve për dëmtimet

e Luftës mund të nxisë debate të reja politike. Këtë herë ato nuk vijnë nga

Athina ose Varshava, por drejtpërdrejt nga Berlini. Shërbimi Shkencor i

Bundestagut, i ngarkuar nga partia opozitare “E Majta”, ka bërë një

ekspertizë me titull: “Pretendimet greke dhe polake ndaj Gjermanisë për

dëmshpërblime”. Aty del në pah se, përveç qëndrimit të qeverisë federale,

ka edhe qëndrime të tjera, të cilat sipas ekspertëve, mund të merren në

konsideratë.

Në fillim të

qershorit, me anë të një note diplomatike, Greqia kishte kërkuar negociata me

Gjermaninë për reparacionet e dëmeve të luftës. Qeveria greke – asokohe ende

nën drejtimin e Alexis Tsipras iu përgjigj kështu kërkesës së Parlamentit  të saj. Një komision ekspertësh grekë kishte

arritur në përfundimin se Gjermania duhej t’i paguante Greqisë afro 290

miliardë Euro shpërblim për dëmet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Qeveria gjermane

e refuzoi kërkesën me argumentin, se çështja e dëmshpërblimit është

“zgjidhur përfundimisht dhe gjerësisht” si në aspektin juridik ashtu

edhe politik në marrëveshjen 2+ 4 që u bë në vitin 1990 për bashkimin e

Gjermanisë. Ekspertët e Bundestagut mendojnë, se ky është një argument që mund

të jetë i drejtë, në bazë të së drejtës 

ndërkombëtare, por jo domosdoshmërisht.

Sepse: ndryshe

nga Polonia, Greqia nuk ka hequr dorë asnjëherë shprehimisht  nga kërkesa për dëmshpërblime lufte, thuhet

në ekspertizën e Bundestagut. Veç kësaj “në marrëveshjen e 2+4, të

nënshkruar mes Republikës Federale Gjermane dhe RDGJ-së dhe katër forcave

fituese, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik, Franca dhe

Britania e Madhe, nuk përmenden reparacionet. Dhe veç kësaj, Greqia nuk ka

marrë pjesë në këto negociata.

Afati kohor për

pretendim i paqartë

Dokumenti i

Shërbimit Shkencor të Bundestagut jep përgjigje edhe ndaj pyetjes, se a ka të

drejtë Greqia që të kërkojë tani reparacione, kur kanë kaluar mbi 70 vjet pas

përfundimit të luftës dhe gati 30 vjet pas Traktatit 2+4 ” Për këtë

ekspertiza thotë se “Parashkrimi i pretendimeve për pagesa ndërshtetërore

nuk është rregulluar qartazi në të drejtën ndërkombëtare”.

Raporti

gjithashtu sugjeron “mundësinë e shqyrtimit në një proces gjyqësor”

përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (IGH) në Hagë. Por, që të ndodhë

kjo, qeveria gjermane duhet t’i nënshtrohet vullnetarisht juridiksionit të

GJND-së, çka deri tani ajo e refuzon. Ministri i Shtetit në Zyrën e Jashtme,

Niels Anen tha se askush nuk synon ta çojë çështjen e reparacioneve deri në

GJND.

Përkujtimore e

viktimave të nazizmit në fshatin Distomo në Greqi, ku nazistët, në 10 qershor

1944 ekzekutuan 214 persona civilë.

Pretendimet nga Greqia

Mendimi i

ekspertëve të Bundestagut duhet të tërheqë vëmendjen në Athinë dhe Varshavë. Në

qershor, ambasadori grek në Berlin i dorëzoi një “notë verbale”

qeverisë gjermane, në të cilën ajo ftohet zyrtarisht për të negociuar për

reparacione. Në Athinë, dëmi i luftës i shkaktuar nga okupimi gjerman gjatë Luftës

së Dytë Botërore vlerësohet në 290 miliardë euro.

Nuk dihet se a do

të vijojë Greqia me kërkesën e reparacioneve ndaj Gjermanisë edhe pas

ndryshimit të qeverisë. Si udhëheqës i opozitës, Kyriakos Mitsotakis pat

theksuar rëndësinë morale të temës në parlamentin grek këtë prill. Por ai e

konsideronte “politikisht dhe juridikisht problematike” kërkesën për

reparacione. Vetëm në lidhje me kthimin e të ashtuquajturve obligacione të

detyrueshme, Kryeministri tashmë i sapozgjedhur u shpreh më optimist. Sipas

përllogaritjeve, ato mund të shkojnë në tetë deri në njëmbëdhjetë miliardë

euro.

Polonia po përgatitet

Qeveria e

Polonisë deri tani është treguar e rezervuar me kërkesa zyrtare. Kjo mund të

ndryshojë. “Ka një vullnet të fortë politik për të punuar vazhdimisht në

këtë temë,” thotë deputeti i partisë në pushtet, PiS, Arkadiusz Mularczyk.

Ai është kryetar i një komisioni të parlamentit polak që aktualisht po

përllogarit dëmin e luftës dhe po përgatit edhe linjën argumentuese. Deri tani,

flitet për rreth 800 miliardë euro. Afro gjashtë milionë polakë humbën jetën

për shkak të regjimit nazist. Se kur do të merret edhe qeveria me këtë temë, ky

është “një vendim politik që do të zgjidhet në momentin e duhur”. Në

vjeshtë, Polonia voton për një parlament të ri.

Ekspertët e Bundestagut konfirmuan se, sipas pikëpamjes së tyre, kërkesat e Polonisë nuk ishin të justifikuara, pasi Polonia ka hequr dorë dy herë nga kërkesa për dëmshpërblime: në vitin 1953 dhe 1970. Varshava e konsideron këtë dorëheqje jo të vlefshme, sepse ajo ka ndodhur nën presionin e Moskës. Sipas të drejtës ndërkombëtare, megjithatë, arsyetimi i qeverisë gjermane është i saktë, sipas raportit. Ky qëndrim ndahet nga kryetari i grupit parlamentar gjermano-polak në Bundestag Thomas Nord (E Majta). “Polonia nuk mund të pajtohet me këtë, por ka patur marrëveshje juridike që e kanë zgjidhur prej kohësh këtë çështje”, tha Nord për DË, por ai shtoi se “në aspektin moral aty nuk ka asnjë dallim dhe se nëse bëhet fjalë për disa grupe viktimash, atëherë mund të ketë edhe dëmshpërblime të tjera”, mendon ai./DW