Ekspertiza balistike e armëve të shërbimit të tre efektivëve të “Shqiponjave” provoi se punonjësit e policisë tejkaluar kushtet e mbrojtjes së nevojshme.

Ishte pikërisht një predhë e gjetur në fenerin e pasëm të makinës, ku udhëtonin 2 të dëmtuarit, që zbuloi se punonjësi i policisë, Rezart Berberi ka qëlluar me qëllim ndalimin e 2 personave që lëviznin me Audi Q8, më 8 Mars në rrethrrotullimin e Rinasit.

Në deklarimet e tyre, vetë efektivët kanë mohuar të kenë përdour armën e shërbimit, pretendim ky që është hedhur poshtë dhe nga kallëzuesi.

Ky i fundit, i identifikuar si Taulant Niklekaj ka treguar se ditën e ngjarjes gjatë verifikimit nga punonjësit e policisë, u ka kërkuar efektiveve mos e vonojnë pasi kishte djalin 9-vjeçar në spitalin e Mamurrasit në urgjencë me temperaturë të lartë.

Me pretendimin se kjo kërkesë e tij nuk është dëgjuar nga punonjësit e policisë, ai ka ndezur makinën për t’u larguar, por menjëherë njëri prej efektivëve, i ka vendosur armën në gjoks.

Në këto kushte, ai ka deklaruar se i ka dhënë gaz makinës nga frika se punonjësit e policisë mund të ishin të paguar për t’i bërë keq për shkak të një hasmërie që ka.

Tv Klan