Ekspertja e komunikimit dhe zëvendëspresidentja e Komunikimit në Philip Morris International, Marian Salzman, thotë se keqinformimi në lidhje me shkencën ka shkaktuar mosbesim tek ajo, edhe në një kohë kur besimi tek shkenca është më i rëndësishëm se kurrë.

E njohur për parashikimet e përvitshme të trendeve të të jetuarit, Salzman prezantoi parashikimet për 2022-shin, një vit i cili sipas saj do të përshkohet nga ankthi- “pandemia e ankthit”, siç e quan- një ankth i cili duket se ka “infektuar” edhe marrëdhënien tonë me shkencën.

“Në gjysmën e parë njerëzit po shpresonin për një vaksinë por nuk mendonin se ato do të krijoheshin kaq shpejt.  Sot, gjysma e popullsisë së botës ka marrë të paktën 1 dozë”, u shpreh Salzman gjatë seminarit online. “Ky zhvillim i shkencës ka ngjallur sa admirim, aq edhe frikë ndaj shkencës.”

Frikë e cila është nxitur edhe në sajë të keqinformimit masiv që ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit, duke e bërë kontrollin e dyfishtë të informacionit tepër të rëndësishëm. Vetë Salzman thotë se kërkimi është bërë dyfish më angazhues edhe për të, ndërsa edhe po shkruan një libër.

“Kërkimi për të vërtetën mua personalisht më dyfishon punën që po bëj”, u shpreh ajo. “Nëse më parë kaloja 20 orë në javë për të marrë lajme, tani më duhet të kaloj 40 orë.”

Marian, për vite të tëra ka punuar me komunikimin e organizatave që merren me çështje sociale në nivel botëror. Kur ajo filloi punën për Philip Morris International, shumë njerëz e paragjykuan duke thënë se arsyeja që e çoi të punojë për një kompani duhani ishin paratë.

Por, Marian u shpreh se paratë ishin gjëja e fundit, duke qenë se kishte patur edhe ftesa të majme nga kompani të tjera. Si vajza e një babai që ka ndërruar jetë për shkak të kancerit në mushkëri, ajo çfarë e shtyu të pranonte ofertën ishte pikërisht angazhimi i Philip Morris për t’u ofruar njerëzve që përndryshe do të pinin cigare një alternativë më të mirë.

“Organizata si PMI fokusohen tek provat shkencore dhe shpërndarja e tyre në mënyrë transparente”, u shpreh Marian gjatë prezantimit të parashikimeve për 2022-shin. “Ne realizojmë çdo vit një raport vjetor si edhe publikojmë gjatë muajve studime në revista shkencore.”

“Shkenca dhe të dhënat empirike duhet të jenë në thelb të vendimeve tona të përditshme”. /tvklan.al