Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte ekspertja e turizmit, Blerina Ago. Ajo shprehet se situata është dramatike për turizmin e aventurës dhe çdo ditë vijnë anulime madje edhe për muajt Korrik dhe Gusht.

Sipas saj, në këtë situatë është e vështirë që të bëhen parashikime, në kushtet kur situata ndryshon nga dita-ditës.

Por sipas saj duhet të bëhet një një fushatë intensive për të promovuar vendet tona të pazbuluara.

Mirela Milori: Si e shikon turizmin eksplorues nën rrethanat e pandemisë, në këto rrethana që jemi?

Blerina Ago: Aktualisht situata është dramatike edhe për turizmin e aventurës, si në të gjitha llojet e tjera të turizmit. Vijnë anulime ditë për ditë, kemi kaluar tani në anulime edhe gjatë në muajt Korrik dhe Gusht. Sepse njerëzit pavarësisht se mund të pritet që situata të qetësohet dhe kufijtë të hapen, e kanë konsumuar lejet e tyre të punës, të pushimeve vjetore, pra vështirë që të udhëtojnë përgjatë 2020. Dhe ajo që unë mendoj është që të kemi të gjithë përqëndrimin, tek një degë i cili do jetë më i afërt, për të parë vendet e rajonit të Ballkanit, pastaj me shpresë që kufijtë do hapen dhe vendet afër Shqipërisë.

Mirela Milori: Çfarë duhet bërë sipas teje? Si e shikon ti për të shpëtuar turizmin e aventurës?

Blerina Ago: Është pak e vështirë të bëhet parashikimi në këto ditë që situata ndryshon shumë shpejt, por unë mendoj që një fushatë intensive promovimi duhet bërë për vendin tonë dhe paralelisht për të gjithë operatorët turistikë duhet t’ju hedhin dhe njëherë sytë produkteve të tyre, për ti bërë ato edhe më joshëse. Por duhet ta shohin edhe si një oportunitet, pasi njerëzit gjëja e parë që do duan të bëjnë pasi të dalin nga izolimi ose karantina është të shkojnë në natyrë dhe gjithashtu të shkojnë drejt vendeve që nuk janë masive. Pra ata nuk do drejtohen të shkojnë në Paris, në Romë, në Vjenë, por do kërkojnë ato destinacione që nuk kanë turizëm masiv, siç është Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit, Prandaj duhet që ta shfrytëzojmë këtë moment, që të promovojmë sa më shumë vendet tona tona të pazbuluara dhe hapësirat që ne kemi./tvklan.al