Kryeministri kinez Li Keqiang vizitoi të hënën qytetin Wuhan për t’u takuar me zyrtarë shëndetësorë dhe për të shqyrtuar masat e luftës ndaj koronavirusit që ka shkaktuar vdekjen e 81 njerëzve.

Wuhan është qendra e shpërthimit të virusit dhe njerëzit atje dhe në disa qytete të tjera përballen me kufizime të rrepta të lëvizjes ndërkohë që qeveria përpiqet të parandalojë përhapjen e virusit.

Zyrtarët ndërmorën një hap tjetër të dielën për të zgjatur festën e Vitit të Ri Hënor edhe tre ditë për të shmangur festimet në grupe të mëdha.

Shifrat e fundit të njoftuara nga zyrtarët kinezë të shëndetit bëjnë fjalë për më shumë se 2.700 raste të personave të sëmurë nga virusi.

Raste janë raportuar edhe në Australi, Kanada, Francë, Hong Kong, Japoni, Makao, Malajzi, Nepal, Portugali, Singapor, Korenë e Jugut, Tajvan, Tajlandë, Shtetet e Bashkuara dhe Vietnam. Organizata Botërore e Shëndetit thotë se shumica e tyre janë njerëz që kishin qenë në Wuhan, ndërsa të tjerë kishin patur kontakte me dikë që kishte qenë atje.

Nuk ka njoftime për vdekje jashtë Kinës të lidhura me virusin.

Ekspertja: Virusi mund të fitojë forcë

Një eksperte në Kinë paralajmëron se lloji i ri i virusit, i cili u ndesh për herë të parë në qytetin kinez Wuhan, mund të fitojë forcë gjë që mund të rrisë aftësinë e tij për t’u transmetuar nga një person tek tjetri.

Komuniteti kinez në Paris zhvilloi një paradë të guximshme, por të zymtë më 25 janar, që përkon me Vitin e Ri kinez. Pjesëmarrësit kërcyen në rrugë me kostume tradicionale, duke tërhequr spektatorë, pavarësisht shqetësimeve për përhapjen e virusit vdekjeprurës që u ndesh për herë të parë në Kinë.

“Kjo nuk do të na ndalë të dalim jashtë, duhet të vazhdojmë të jetojmë. Eshtë njësoj sikurse me sëmundjen e lopës së çmendur, njerëzit vazhdonin të dilnin”, thotë François, i shoqatës sportive Paris-Lion.

Ndërkohë autoritetet franceze po marrin masa se si të parandalojnë përhapjen e virusit në Francë dhe pjesë të tjera të Evropës.

“Do të vendosim një ekip mjekësor në aeroportin “Charles de Gaulle” sikurse bëmë kur mbërriti avioni i fundit nga Wuhani, pasi është pika kryesore e vendit e lidhur me Kinën me fluturime të drejtpërdrejta”, thotë Jérôme Salomon, ministria franceze e Shëndetësisë.

Edhe në vende të tjera autoritetet shëndetësore janë vigjilentë ndërsa numri i të prekurve në mbarë botën po rritet. Një ekspert kinez paralajmëroi se aftësia e koronavirusit për t’u transmetuar nga një person tek një tjetër duket se po bëhet më e fortë.

“Njerëzit e infektuar në Wuhan e kanë përhapur virusin në provincat e tjera. Në disa provinca po shohin ky virus i gjeneratës së dytë, po bëhet shumë i rrezikshëm”, thotë Li Lanjuan, i Akademisë Inxhinierike Kineze.

Ekzistojnë shqetësime se numri i të infektuarve mund të jetë me lartë se sa është raportuar. Zyrtarët kinezë thonë se ata po bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndalur përhapjen.

“Bëhet fjalë për një lloj të ri sëmundjeje. Njohuritë tona për të janë të kufizuara. Nuk jemi të qartë mbi evolucionin e saj. Zhvillimi i një situate epidemike nuk është në kontroll të plotë”, thotë Li Bin, i Komisioni Kinez të Shëndetit.

Qeveria kineze ka vendosur në karantinë rreth 50 milionë njerëz në Wuhan dhe zonat përreth. Gjithashtu autoritetet po nxitojnë të përfundojnë ndërtimin e një spitali special për të trajtuar pacientët e infektuar me llojin e ri të virusit.

Në Shtetet e Bashkuara deri ditën e dielë u konfirmuan pesë raste personash të prekur nga virusi dhe 100 pacientë të tjerë po mbahen nën vëzhgim.

Periudha e inkubacionit mund të zgjasë deri në dy javë dhe kërkon kohë për të përcaktuar se cili virus është përgjegjës për problemet shëndetësore gjatë sezonit të gripit./VOA