Shpërthim tritoli në shtëpinë e Talo Çelës

Shpërthim tritoli në shtëpinë e Talo Çelës

08:16 05/11/2020

Policia dyshon për përplasje mes grupeve kriminale

“Një shpërthim me lëndë eksplozive ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në banesën e shumë të kërkuarit Talo Çela, në fshatin Katund i Ri në Elbasan”.

Rreth 200 gramë tritol u hodh në banesën e Talo Çelës, e cila prej kohësh është e braktisur. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa janë thyer të gjitha xhamat e katit të parë.

Familjarët e Talo Çelës nuk jetojnë më në këtë banesë, pasi i tremben hakmarrjes. Lënda shpërthyese është hedhur nga rruga nga një automjet i paidentifikuar.

Dëmet janë të konsiderueshme dhe shpërthimin e ka dëgjuar e gjithë zona pranë rrugës së vjetër Elbasan-Metarlugjik.

Burime nga Policia e Elbasanit, thanë për Tv Klan se po e hetojnë ngjarjen, si një hakmarrje mes grupeve rivale. Kjo për faktin se Talo Çela është në konflikt prej disa muajsh me Nuredin Dumanin. Ky i fundit është shpallur në kërkim për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës në muajin Shtator.

Për ngjarjen policia ka shoqëruar disa persona si të dyshuar.

Tritoli në banesën e Talo Çelës vjen pas disa vrasjeve që kanë ndodhur në Elbasan, ku si i dyshuari kryesor mbetën Nuredin Dumani.

Talo Çela dhe Nuredin Dumani kanë qenë miq me njëri-tjetrin, por dyshohet se paratë e grabitura në Rinas, janë bërë shkak i konflikteve. Çela dhe Dumani janë në kërkim edhe për vrasjet e Durrësit.

Tv Klan



Të ngjashme