Ekspertët: Ka rigjallërim të kërkesës dhe investimeve private

Ekonomia shqiptare duket se ka bërë shkëputjen nga rënia që pati për më shumë se një vit si rezultat i krizës së pandemisë.

Të dhënat e muajit Prill të tregtisë me jashtë kanë dhënë sinjale të qarta rikuperimi: rritja e eksporteve ka vazhduar, ndërsa importet rezultojnë më lart edhe se në 2019-n.

Në katër muajt e parë të këtij viti eksportet kanë kapur vlerën më të lartë të 5 viteve të fundit, duke arritur në 1 miliard e 90 milionë dollarë.

Për ekspertët e ekonomisë rritja e tregtisë së mallrave jashtë lidhet edhe me rigjallërimin e tregjeve të huaja, sidomos partnerët historikë të Shqipërisë: Italia, Gjermania dhe Turqia.

“Një pjesë e mallrave që ka patur më shumë rigjallërim janë ato industriale sidomos mineralet dhe energjia, ndërsa shohim ende dobët industrinë tekstile.”

Në total Shqipëria ka importuar këtë vit 2.25 miliardë dollarë mallra, ku peshën më të madhe e kanë patur makineritë e pajisjet, të ndjekura nga materialet e ndërtimit. Për ekspertët, këto të dhëna tregojnë përmirësimin e besimit të sektorit privat në ekonomi dhe rritjen e investimeve nga biznesi.

“Më shumë se rritje konsumi do t’a shihja në prizmin e rritjes së investimeve private, pra shohim që biznesi është i interesuar për lëndë të para dhe makineri e pajisje.”

Edhe pse në rritje krahasuar me një vit më parë industria tekstile ende nuk e ka marrë veten për të arritur në ritmet e përpara krizës së pandemisë. Eksportet e fasonëve këtë 4-mujor ishin 360 milion dollarë, përkundrejt 410 milion dollarëve në 2019-n.

Tv Klan