Fasonet: Dy muajt e fundit jemi me rritje, po rikthejmë punonjësit e larguar

Prodhimi industrial dhe i artikujve ushqimorë kanë arritur që të udhëheqin eksportet vendase, ndërsa mbeten të brishtë sektorët e veshjeve dhe këpucëve dhe industria e minierave.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria arriti që të eksportojë 230 milionë dollarë më shumë mallra se në 2019-n, në Janar-Maj të këtij viti ku peshën kryesore e ka patur rritja e prodhimit të materialeve të ndërtimit, makinerive dhe ushqimit e pijeve.

Krahasuar me vitin 2019-n, industria minerale ka vlera më të ulëta shitjeje dhe po ashtu edhe industria e fasonëve. Por pavarësisht kësaj, shoqata Pro Eksport thotë se në dy muajt e fundit interesi i shteteve që kanë bërë tradicionalisht tregti në fushën e tekstileve me Shqipërinë është rritur.

“Në dy muajt e fundit kemi patur rritje të shitjeve dhe interes nga vendet tradicionale që kemi eksportuar: Itali, Greqi dhe Gjermani, por po ashtu dhe Spanjë.”

Të dhënat indirekte tregojnë se dhe tregu i punës në industrinë e fasonerisë është gjallëruar, ndërsa kompanitë kanë nisur të rikthejnë vendet e punës që shkurtuan gjatë krizës së pandemisë.

“Kemi nisur të rikthejmë punonjësit që shkurtuam dhe besoj deri në Tetor arrijmë në nivelet e vitit 2019.”

Eksportet e fasonëve janë 20 milionë dollarë më pak se në 2019-n, ndërsa mineralet 80 milionë dollarë më pak, hendek i cili është mbushur nga sektorët e tjerë, të cilët në total u rritën me 60% kundrejt një viti më parë dhe me 20% krahasuar me 2019-n.

Tv Klan