Anija e parë që transportonte grurë është nisur nga një port ukrainas sipas një marrëveshje historike me Rusinë. Zyrtarët turq dhe ukrainas thonë se anija u largua nga porti jugor i Odesa-s herët në mëngjesin e ditës së sotme.

Rusia ka bllokuar portet e Ukrainës që nga muaji Shkurt, por të dyja palët ranë dakord për një marrëveshje për të rifilluar dërgesat.

Shpresohet se marrëveshja do të lehtësojë krizën globale të ushqimit dhe do të ulë çmimin e drithit.

Në një deklaratë përpara nisjes së anijes, Turqia tha se anija me flamur të Sierra Leone do të ankorohej në Liban, duke shtuar se dërgesat e mëtejshme ishin planifikuar gjatë javëve të ardhshme.

Qendra e Përbashkët e Koordinimit (JCC) në Stamboll, e krijuar sipas marrëveshjes tha se anija mbante rreth 26,000 ton misër dhe pritej të mbërrinte në ujërat turke për inspektim ditën e martë.

“Sot Ukraina, së bashku me partnerët, ndërmerr një hap tjetër për të parandaluar urinë në botë”, shkroi në Facebook ministri i Infrastrukturës së Ukrainës, Alexander Kubrakov.

Marrëveshja e muajit të kaluar u ndërmjetësua nga OKB-ja dhe Turqia dhe u deshën dy muaj për t’u arritur. Kjo marrëveshje parashikohet të zgjasë për 120 ditë. Mund të rinovohet nëse të dyja palët bien dakord./tvklan.al