Monedha e përbashkët europiane është forcuar ndjeshëm në tregun e këmbimit valutor vendas krahasuar me rekordin më të ulët që arriti në fund të Dhjetorit.

Sot 1 Euro këmbehet me 125.57 Lekë, por pavarësisht tendencës rritëse të saj gjatë ditëve të fundit, eksportuesit në Shqipëri kanë organizuar një mbledhje të jashtëzakonshme ku vendosën që t’i bëjnë thirrje institucioneve për të marrë masa në mënyrë që të ndalin humbjet që ka ky grup biznesesh nga rënia me 8% në harkun e një viti të monedhës Euro.

“Kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme për të stabilizuar kursin e këmbimit Euro-Lek”.

Përveç kësaj, të gjitha shoqatat e prodhuesve kërkuan që administrata tatimore të bëjë rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Këto detyrime që shteti nuk i ka kthyer mbrapsht, së bashku dhe me humbjet nga rënia e Euros, kanë bërë që eksportuesit të jenë në prag të falimentit.

“Kërkojmë nga ana e qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së sipas ligjit dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv dhe ndërmarrjeve të tjera që iu takon sipas ligjit rimbursimi i TVSH-së”.

Përpara mbylljes së vitit 2018, ishin fasonët që bënë të njëjtat kërkesa, por tashmë me ta janë bashkuar edhe shoqata e industrialistëve, bimëve medicinale dhe prodhuesve të ushqimeve.

Tv Klan