Ekspozimi ndaj pastrimit të parave

Ekspozimi ndaj pastrimit të parave

15:40 20/06/2019

Gjashtë banka që operojnë në tregun vendas konsiderohen me rrezik të lartë ndaj ekspozimit të tentativave për pastrimin e parave. Banka e Shqipërisë ka nisur ushtrimin e kontrolleve jo vetëm në banka, por edhe në institucione financiare të licencuara dhe zyrat e këmbimit valutor.

Vetëm gjatë 2018-s janë kryer 49 inspektime në bashkëpunim me Drejtorinë e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, ku ka rezultuar se 10 banka paraqesin rrezik të mesëm, ndërsa 12 subjekte financiare, jo banka, rezultuan me risk të lartë.

Në analizën e mbikëqyrjes së këtij tregu janë kontrolluar treguesit mbi numrin e klientëve që paraqesin rrezik, mënyrën se si kanë kryer transaksionet dhe vlerat që kanë lëvizur nga llogaritë.

Por një tjetër problem me të cilin po përballet Banka Qendrore është edhe zbatimi i rregullave nga ana e zyrave të këmbimit valutor mbi shumat që ato konvertojnë. Gjatë vitit të shkuar rezulton të jenë revokuar 21 licenca, ku një pjesë e tyre janë penalizuar pasi nuk kanë raportuar rastet e këmbimin e shumave të parave sipas kufirit që përcaktohet në ligj.

Në raportin e Mbikëqyrjes, Banka Qendrore evidenton se shumica e institucioneve financiare dhe bankave kanë përmirësuar rregulloret për kontrollin dhe parandalimin e pastrimit të parave, ndërsa do të miratohen disa akte shtesë edhe këtë vit për të minimizuar riskun.

Niveli i informalitetit në Shqipëri vijon të mbetet i lartë. Në një raport të fundit Banka Botërore e konsideron që pjesa e parave që nuk deklarohen përbëjnë 50% të ekonomisë vendase.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT