Veliaj: Përveç artit, të bashkëpunojmë në sport e shkolla

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj priti në një takim profesorë të Akademisë së Arteve në Lecce, të cilët sollën në Shqipëri ekspozitën “Piccolo Mare”, si një projekt i të dy vendeve. Velaj e konsideroi projektin urë lidhëse mes dy vendeve.

“Kemi një det që, deri dje na ndante – ishin kohë të vështira, Shqipëria ishte e izoluar – kurse sot i njëjti det na bashkon. Jam shumë i lumtur që Akademia e Lecce-s, Akademia e Tiranës, Universiteti i Arteve dhe shumë aktivistë dhe faktorë lokalë të promovimit të artit, janë këtu për të shërbyer si një urë midis Lecce-s dhe Tiranës, ose Puglia-s dhe Shqipërisë”.

Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi gjithashtu bashkëpunim në sport dhe shkolla.

“Do të doja shumë që, përveç artit dhe kulturës, të kemi mundësi të bashkëpunojmë edhe për sportin me shkollat, jo vetëm në nivelet e universitetit, por edhe gjimnazet”.

Për përfaqësuesit e Akademisë së Lecce-s kjo ekspozitë është vetëm fillimi i disa bashkëpunimeve të tjera në vijim. “Piccolo Mare” është një projekt i përbashkët artistik mes Italisë dhe Shqipërisë që ka sjellë në Tiranë në Galeritë e Tiranës një sërë punimesh nga studentë të të dy vendeve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 Shkurt 2023.

Tv Klan