Nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane (SCIP), gjatë ditës së sotme u ekstraduan drejt Italisë 9 persona të kërkuar që janë arrestuar në Shqipëri në periudha të ndryshme në harkun kohor të një viti.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit thotë se të ekstraduarit janë shqiptarë nga mosha 27 deri 72 vjeç, të cilët ishin fshehur në Shqipëri për t’iu shmangur urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Prokuroritë e Barit, Bergamos, Chietit, Firences, Aquilës, Milanos dhe Napolit.

“Personat që u ekstraduan janë kapur nga Policia e Shtetit dhe janë të përfshirë në vepra kriminale si shkelje e ligjit për narkotikët, vjedhje, grabitje, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe organizatë kriminale me qëllim trafikun e lëndëve narkotike”, thuhet në njoftim./tvklan.al