8 muaj pas arrestimit në Shëngjin, ekstradohet drejt Italisë, Ardjan Isufaj i shpallur në kërkim nga autoritete e vendit fqinj pasi akuzohet për trafik droge nga Amerika Latine dhe pengmarrje.

Arrestimi i 40-vjeçarit, erdhi pas prangosjes së 4 bashkëpunëtorëve të tij po nga Shqipëria, të cilët së bashku me 3 shtetas nga Republika Domenikane dhe 1 nga Ekuadori, në Nëntor të 2022 tentuan të trafikonin drejt Italisë 100 kilogramë kokainë.

Ngarkesa ishte nisur nga grupi drejt Europës përmes portit të Guajakilit, ku gjatë lundrimit u zhduk nga kontejneri ku ishte vendosur.

Përballë kësaj situate grupi në përbërje të së cilit ishte Ardjan Isufaj dhe 4 shqiptarë të tjerë morën peng një shtetas Italian, për të cilin dyshonin se kishte informacione për vendndodhjen e drogës.

Për të mësuar fatin e ngarkesës prej 100 kilogramësh, 5 shqiptarët e kanë kërcënuar italianin se do e vrisnin. 

Pas rrëmbimit, drejtuesit e grupit u arratisën drejt Shqipërisë, vend nga ku dyshohet se vazhduan aktivitetin e tyre kriminal të trafikut të drogës nga Amerika Latine, deri në Qershor të 2023 kur u vunë në pranga nga policia.

Po këtë të hënë autoritetet shqiptare përmbyllën ekstradimin e 4 shqiptarëve të tjerë nga Italia dhe Greqia.

Tv Klan